Jorida Tabaku: Nismat e PS po rrënojnë shtresën e mesme

Mos i humb

Përmes një statusi në Facebook, deputetja e PD, Jorida tabaku argumenton atë që ajo e quan “Rrënimi i shtresës së mesme në 5 vitet e qeverisë Rama”.

Së pari ajo parashtron rritjen e vazhdueshme të taksave dhe tarifave, e sipas saj: “Kjo ka penalizuar në masë bizneset e vogla vendase, ka stopuar rritjen e investimeve te huaja si dhe ka ndikuar dhe në buxhetin e familjeve që fatkeqësisht sot është i njëjtë me atë të 10 viteve më parë”.

“Mbi të gjitha shtresa që është penalizuar maksimalisht gjatë këtyre pesë viteve është shtresa e mesme. Pedagogët, inxhinierët, profesionistët e lirë, mjekët, arkitektët e juristët, pra shtresa e punës mendore, shtresa e zbatimit të dijes është penalizuar më shumë duke u taksuar shumëfish për punën që bën! Në 2014 hyri në fuqi tatimi më i lartë për punën në rajon dhe më i larti i vendosur ndonjëherë në Shqipëri për punën. Sot kushdo që punon ndershmërisht tatohet deri në 23%. Ka biznese të vogla me tatim më të ulët, ka dhe fitime kompanish që tatohen më ulët, dhe kapitali tatohet më ulët, por jo qeveria e Edi Ramës vendos të ketë tatimin më të lartë për punën”, shkruan Tabaku.

Më tej ajo shkruan se “Një tjetër dhuratë që qeveria u kujdes t’i bënte shqiptarëve është ajo e rritjes së pagës maksimale, efekti i së cilës do të bjerë mbi rritjen e sigurimeve shoqërore më shumë se sa në rritjen e të ardhurave. Konkretisht, vendosja e pagës maksimale prej 150 mijë lekësh përkthehet në një rritje të detyrimeve për sigurime dhe shpenzimet e biznesit”.

Një tjetër manovër të gabuar, sipas saj, është edhe rritja e kostos me 10% të një të punësuari: “Në total, një biznesi të madh kostot e shtuara nga kjo lëvizje e ditëve të fundit të qeverisë do t’i kushtonte shtrenjtë. Nëse marrim në referencë vetëm biznesin e call center (që punëson shumicën dërrmues të të rinjve në vend), kjo kosto ndikon në rritjen e shpenzimeve me rreth 30 mijë eurove në muaj. Çfarë do të thotë kjo? Që biznesi për të paguar këtë kosto që i lindi vetëm në datë 30 dhjetor do t’i duhet të ulë shpenzimet e pagave (duke ulur pagat) apo duke larguar të punësuarit”.

Në përfundim të statusit të saj, Jorida Tabaku shkruan se këto zgjedhje nuk rrisin konsumin dhe as nuk ulin hendekun mes të varfërve dhe të pasurve.

“Nuk prodhon mobilitetin social por janë vetëm nisma propagandistike që i bëjnë dëm punës. Taksa prograsive e vrau punën dhe shtresën e mesme (profesionet e lira gjithashtu) ndërkohë që krijoi terrenin për varfërimin e mëtejshëm të shtresës së mesme. Kjo lëvizje e fundvitit prodhon një tjetër goditje për punën dhe biznesin duke e thelluar edhe më tej krizën e punës, pagave, konsumit dhe rritjes ekonomike”, shprehet deputetja e PD, Jorida Tabaku në statusin e saj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit