Ka inskenuar “kidnapimin” e të bijës për të përfituar 20-30 milionë franga!

Policia franceze ka arestuar shoferin e makinës për transportimin e të hollave dhe të bijën e tij lidhur me rastin që ka ndodhur javën e kaluar në kufiriin mes Francës dhe Zvicrës. Ata dyshohen se kanë inskenuar “pengmarrjen” dhe “grabitjen” e të hollave të cilat shoferi nga Franca po i transportonte për llogari të një firme zvicerane.

Ky rast pati bërë bujë të madhe në mediet zvicerane dhe franceze javën e kaluar për shkak të rrethanave të paqarta në të cilat kishte ndodhur dhe për shkak të shumës së madhe të të hollave (20 deri 30 milionë franga) të plaçkitura.

Policia thotë se tash babai dhe e bija, të dyshuar për inskenim të rastit, po mbahen në një burg në Lion bashkë me një person që dyshohet se ka ndihmuar ata.

Natën e “kidnapimit”, e bija e shoferit të transportuesit të parave ka deklaruar para policëve se ajo ishte rrëmbyer në afërsi të Lionit (në një konvikt studentësh) nga dy burra, transmeton albinfo.ch. Ndërsa babai i saj ka thënë se pas kidnapimit, ai në një lokalitet në Kantonin Vaud ua ka dorëzuar kidnapuesve paratë që po transportonte./Albinfo.ch/