Kalin: Turqia përpiqet që asnjë civil në Siri të mos dëmtohet

Mos i humb

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, tha se vendi i tij përmbush dhe do të vazhdojë të përmbushë të gjitha përgjegjësitë që i përkasin në mënyrë që asnjë civil në Siri të mos dëmtohet.

“Ne përmbushim dhe do të përmbushim përgjegjësitë tona në mënyrë që asnjë civil në Siri, përfshirë edhe kurdët, dhe pasuria e tyre të mos dëmtohen”, tha Kalin në një konferencë shtypi në Ankara.

Konferenca erdhi pasi më herët një delegacion amerikan i udhëhequr nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton mbajti takime në kryeqytetin turk, Ankara me një delegacion turk të kryesuar nga Kalin.

Gjatë adresimit të tij para gazetarëve, Kalin tha se argumentet si ato se Turqia do të masakrojë kurdët kur do të hyjë në Siri dhe se popullata kurde do të pësojnë dëme, janë propagandë e organizatës terroriste PKK.

Më herët, Turqia, përfshirë presidentin Recep Tayyip Erdogan, reaguan ndaj deklaratave të Bolton, i cili të dielën gjatë një vizite në Izrael tha se SHBA nuk do të tërheqë trupat nga Siria verilindore derisa qeveria turke të garantojë se nuk do të sulmojë “luftëtarët kurdë”, duke iu referuar organizatës terroriste YPG/PKK.

Kalin riafirmoi qëndrimin e Turqisë që YPG/PKK të mos barazohen me popullatën kurde të Sirisë.

“Të gjithë ne, kryesisht presidenti ynë, kemi reaguar që kurdët e Sirisë të mos përzihen dhe të përdoren në një fjali sikur të ishin të njëtjë me organizatën terroriste PKK dhe me krahun e saj të armatosur YPG dhe PYD. Edhe në bisedimet e sotme, jemi shprehur se këto duhet të ndahen në mënyrë të qartë nga njëra-tjetra”, theksoi Kalin.

Turqia ka paralajmëruar një operacion antiterrorist në Siri kundër YPG/PKK-së, pas dy operacioneve paraprake të suksesshme, “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”.

Sot gjatë takimit të grupit parlamentar të partisë në pushtet në Turqi (AK Parti), Erdogan tha se vendi i tij së shpejti do të kalojë në veprim për të neutralizuar organizatat terroriste në Siri.

Ndërkaq, duke folur në lidhje me përmbajtjen e takimit të delegacioneve, Kalin tha se në takim është diskutuar tërheqja e SHBA-së nga Siria, armët e shpërndara më herët dhe bazat amerikane në Siri.

“Nuk duhet të lejojmë që procesi i tërheqjes të krijojë mundësi të re për organizatat terroriste, përfshirë PYD/YPG-në, dhe elementet e tjera”, deklaroi zëdhënësi presidencial.

Në përgjigje të një pyetjeje të gazetarëve, Kalın njoftoi se gjatë takimit me delegacionin amerikan, Boltonit i janë dorëzuar dy dosje, prejt të cilave njëra përfshin krimet e YPG/PYD-së në Siri, kurse tjetra politikat dhe përpjekjet e Turqisë për mirëqenien e popullatës civile kurde.

“Ne bëjmë koordinim me të gjithë, por nuk merr leje nga askush”, shtoi zëdhënësi i Presidencës së Turqisë Kalin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit