Kanadaja dhe Meksika hedhin poshtë marrëveshjet e ndara tregtare me SHBA-në

Mos i humb

 

 

Kanadaja dhe Meksika kanë hedhur poshtë bashkëpunimin tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke tërhequr vërejtjen se çdo marrëveshje e arritur për tregtinë e lirë në Amerikën Veriore (NAFTA), duhet të jetë trepalëshe.

Në takimin e zyrtarëve meksikanë dhe kanadezë në Mexico City, dy vendet gjithashtu kanë hedhur poshtë ftesën e administratës së Donald Trumpit lidhur me klauzolat e kufizimeve, sipas së cilës çdo 5 vite do të bëhet një kontroll i NAFTA-s. Të dyja vendet theksuan se një klauzolë e tillë do të ishte shkatërruese për investimet.

“Askush nuk do të investojë as edhe një dollar kanadez, pesos meksikan apo dollar amerikan në industrinë e cila nuk ka siguri afatgjate”, ka thënë pas takimit Ildefonso Guajardo, ministri i Ekonomisë së Meksikës.

Delegacioni meksikan sot do të udhëtojë për në Washington për të biseduar me zyrtarët e SHBA-së rreth NAFTA-s. Mirëpo, qëndrimi i tyre do të mbetet i paluhatur në qëllimin që NAFTA të mbetet marrëveshje trepalëshe me kushte të përhershme.

“Fakt është se udhëtojmë në Washington për bisedime dypalëshe për të forcuar konceptin trepalësh të marrëveshjes”, ka thënë Guajardo.

Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Chrystia Freeland realizoi një takim me presidentin në ardhje të Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador.

Ajo takimin e vlerësoi si pozitiv, duke theksuar se dy vendet u dakorduan rreth qëndrimit lidhur me NAFTA-n.

“Kanadaja beson tek NAFTA si marrëveshje trepalëshe. Ajo është në fuqi afër çerek shekulli. Marrëveshja u ka mundësuar vendeve tona të integrojnë ‘zinxhirët’ e tregtisë dhe furnizmit”, ka thënë Freeland.

Zyrtarët e të tre vendeve janë shprehur se duan të përshpejtojnë bisedimet e nisura në gusht, por Kanadaja dhe Meksika janë të shqetësuara për shkak të insistimit të presidentit Trump se SHBA-të nuk kanë pasur përfitime të mjaftueshme të marrëveshjes dhe duan një marrëveshje më të favorshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit