KDI/TIK: Kosova nuk sheh rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit

Mos i humb

 

 

Organizatat joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Transparency International Kosova (TIK) në një konferencë për media shpalosën propozimet për institucionet në lidhje me hapat që duhet të ndërmerren në luftën kundër korrupsionit në vend.

Në shpalosjen e propozimeve u theksua se sipas TIK-ut, Kosova është radhitur në vendin e 85 nga gjitsej 180 vendet ku matet indeksi për perceptimin e korrupsionit në vend.

Diana Metushi-Krasniqi nga KDI/TIK tha se pavarësisht deklaratave të shumta nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore mbi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qytetarët kosovarë nuk shohin rezultate konkrete.

Krasniqi theksoi se shteti i Kosovës po shfaq një lloj mos interesimi përballë çështjes së korrupsionit, luftës së kësaj dukurie dhe ndërmarrjes së hapave konkrete në këtë drejtim. Ajo shtoi se institucionet shtetërore duhet të fillojnë procesin e vetingut për të gjithë zyrtarët e prokurimit në të gjitha autoritetet kontraktuese që shpenzojnë para publike.

Ndërkaq, Florent Spahija nga organizata KDI, i cili prezantoi pikat e propozuara nga kjo organizatë joqeveritare për veprat që duhen të ndërmerren kundër korrupsionit, tha se duhet të përfundojneë sa më shpejtë rastet e mëdha që vazhdojnë të mbetet pa u gjykuar, të tilla si ato, siç përmendi ai, rasti i “ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtorit të KEK-ut, Arben Gjuka dhe ish-kryesuesit të OShP-së, Hysni Hoxha”,

Sipas tij ndjekja penale dhe gjykimi i njerëzve të pushtetshëm të cilët dyshohen për korrupsion dhe krim të organizuar duhet të jetë prioritet i Prokurorit të Shtetit.

“Prokuroria e Shtetit duhet të kujdeset që të sekuestroj sa më shumë pasuri nga personat të cilët kanë kryer vepër penale të korrupsionit, si dhe vepra penale të krimit të organizuar. Këto raste prokuroria duhet t’i përgatisë sa më mirë që është e mundur dhe t’i dërgojë në gjykatë. Pastaj, gjykata pas vendimeve të plotfuqishme për këto raste të konfiskojë këto prona dhe t’i kthej ato në të mirë të qytetarëve”, tha Spahija.

Ai shtoi se duhet të bëhet edhe dekriminalizimi i policisë, e cila sipas tij është parë duke kryer vepra korruptive.

Spahija tha se Kuvendi i Kosovës me një ligj duhet t’i detyrojë të gjitha subjektet politike që financat e tyre të jenë publike në ueb-faqet e subjekteve dhe në Këshillin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ai përmendi edhe pikën për mbylljen e disa agjencioneve, të cilat siç tha ai, nuk kryejnë ndonjë punë përveç harxhimit të parave publike.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit