Kelam: Maqedonia e Veriut meriton fillimin e negociatave me BE-në

Mos i humb

Kryesuesi i Komisionit për punë të jashtme i Parlamentit Europian, Tunne Kelam, i cili qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ka deklaruar se ky vend dhe populli i tij meritojnë fillimin e negociatave me Bashkimin Europian (BE).

Në konferencën për media në Qendrën Informative të Delegacionit të BE-së në Shkup, Kelam theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të përqendrohet në qëllimet kombëtare dhe se nuk ka kohë për të humbur në dallimet politike, për shkak se edhe qeveria, por edhe opozita janë dakord se integrimi evropian i vendit duhet të tregojë progres.

“Maqedonia e Veriut dhe qytetarët tuaj meritojnë fillimin e negociatave. Ju keni arritur shumë për të filluar negociatat, edhe pse në këtë fazë ende është e paqartë nëse do të ketë një vendim unanim nga Këshilli Europian, por ne po punojmë në këtë drejtim, për të arritur një vendim unanim”, deklaroi Kelam.

Kelam po ashtu theksoi se detyra e vendit është për të forcuar unitetin kombëtar, të mbështesë reformat dhe të përqendrohet në aktivitetet që janë kyçe për shtetin. Ai shtoi se nuk është koha vetëm për të festuar sukseset.

“Ne kemi nevojë për Maqedoninë e Veriut si një anëtare e BE-së”, tha Kelam, duke shtuar se pranimi i Maqedonisë së Veriut në BE mund të ofrojë siguri, qëndrueshmëri dhe begati për të gjithë rajonin.

Sipas tij, nëse zgjedhjet presidenciale në vend, të cilat janë planifikuar për në muajin prill, mbahen në një klimë të pajtimit kombëtar, në mënyrë të drejtë dhe transparente, atëherë ajo do të jetë argument shtesë për mbështetje të integrimit të këtij vendi.

Më herët, Kelam i shoqëruar nga një delegacion i përbërë nga përfaqësues të Komitetit për politikë të jashtme të Parlamentit Europian, u prit në takim nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Delegacioni i përbërë prej shtatë zyrtarëve të Parlamentit Europian gjatë vizitës dyditore në Maqedoninë e Veriut do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të Kuvendit, opozitës dhe sektorit civil.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit