Kërkohet tërheqja nga përdorimi i Doracakut për përgatitjen e jurisprudencës, “gabime të shumta e thelbësore”

Mos i humb

Doktoranti Durim Berisha, i ka shkruar një letër ministrit të Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor dhe Akademisë së Drejtësisë, me kërkesë për tërheqjen nga përdorimi të Doracakut për Përgatitjen e Provimit të Jurisprudencës (botim i vitit 2015).

Sipas tij, shkollimi juridik është parakushti kryesor për performancë efektive të sistemit të drejtësisë, por edhe të mekanizmave tjerë shtetërorë.

“Prandaj është obligim yni që të pastrojmë tekstet që do të duhej të shërbenin për përgatitjen e juristëve të rinj, nga qëndrime të pasakta profesionale dhe akademike”, ka shkruar ai në arsyetimin për dërgimin e kësaj letre, të cilën e ka edhe Koha.net.

Në mesin e arsyeve që e kanë bërë Berishën që të kërkojë një gjë të tillë janë gabimet, sipas tij të shumta e substanciale në këtë Doracak.

Më poshtë është letra e plotë e Berishës. Ai është kandidat për doktoraturë në universitetin “Heinrich Heine” në Düsseldorf në kuadër të programit të bursës “Johannes-Rau”. Qëndrimet e shprehura janë personale dhe nuk shprehin qëndrimet e institucionit ku ai studion e jodomosdoshmërisht as të portalit Koha.net.

Më lejoni që përmes kësaj parashtrese të ju kërkoj tërheqjen nga përdorimi të Doracakut për përgatitjen e provimit të jurisprudencës, botim i vitit 2015.

Duke marr parasysh se ai tekst ju shërben kandidatëve si burim primar dhe zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë për përgatitjen e provimit të jurisprudencës, gabimet e shumta substanciale e bëjnë atë të papërdorshëm.

Me theks të veçantë i referohem pjesës “Sistemi Kushtetues dhe Organizimi i Jurisprudencës” që mbanë autorësinë e z. Arsim Bajrami dhe z.Xhavit Shala. Ky tekst që është një kopje e fjalëpërfjalshme e tekstit të botuar në doracakun e vitit 2008 (botim i financuar nga qeveria japoneze) përpos që nuk përputhet me normativën kushtetuese dhe ligjore në fuqi, përmban informacione të pasakta dhe të gabuara të cilat jo vetëm që i hutojnë juristët e rinj, por i gjymtojnë seriozisht në kuptim akademik dhe profesional.

Në të njëjtën kohë është njollë e zezë për institucionet kompetente, Ministrinë e Drejtësisë dhe Akademinë e Drejtësisë, lejimi i përdorimit të një teksti joprofesional. Pavarësisht që përgjegjësinë për përmbajtjen e bartin autorët, është përgjegjësi e institucioneve që e lejojnë botimin e tekstit zyrtar të korrigjojnë përmbajtjen e tij.

Për të qenë korrekt me pretendimet e ngritura se ky tekst është “out of date” edhe në raport me çështjet konkrete që lidhen me të drejtën kushtetuese të Republikës së Kosovës ju propozoj që të shikoni dhe krahasoni tekstet e dy botimeve që i gjeni në vegëzat e mëposhtme:

Botimi i vitit 2015: http://jus.igjk.rks-gov.net/695/

Botimi i vitit 2008: http://www.oak-ks.org/repository/docs/Doracak_p-r_p-rgatitjen_e_provimit_t-_jurispodenc-s_522057_113480.pdf.

Në vend që ky tekst të shërbente për përgatitje praktike dhe konkrete në ushtrimin e profesionit të juristit, kjo pjesë paraqet informacione teorike të cilat ka dekada që nuk trajtohen në procesin e shkollimit të juristëve, duke përfshirë edhe universitetet, sepse procesi i shkollimit juridik në shtete normale është i lidhur ngushtë dhe pazgjidhshmërisht në një proces ku përfshihen institucionet e arsimit të lartë dhe ministritë e dikasterit përkatës.

Duke mos dashur ta ngarkojë këtë shkresë, pasi procedura do të kërkonte ngritjen e një komisioni profesional dhe akademik për vlerësimin e pretendimeve të ngritura, dua që të ju jap vetëm disa referime prima facie të gabimeve thelbësore që përmban ky tekst (referencë faqe nga botimi i vitit 2015, por teksti është tërësisht i njëjti në të dy botimet).

Në faqen 5 autorët konsiderojnë se“kushtetuta paraqet një kontratë e lidhur mes dy palëve”– ky konstatim është i gabuar, ngase një koncept i tillë i kushtetutës ka ekzistuar në mesjetë (në sistemin feudal). Doktrina dhe praktika bashkëkohore kushtetuese e definon kushtetutën si një pasqyrim të vendimit të tërësisë (kombit si formacion politik) për ekzistencën politiko-juridike. (Shih Montesquieu “Mbi frymën e ligjeve”, John Locke “Traktati i dytë i qeverisjes”; Carl Schmitt “Teoria Kushtetuese” etj.).

Në faqen 10 autorët theksojnë se “janë 20 vende të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve pakicë në Kosovë” – ky konstatim nuk qëndron. Me ndryshimet kushtetuese tanimë këto vende kanë kaluar në vende të rezervuara.

Në faqen 11 autorët theksojnë se “Grupet parlamentare paraqesin trupa punues të kuvendit” – ky konstatim i autorëve është i gabuar, pasi Grupet parlamentare definohen si një bashkim vullnetar i deputetëve të parlamentit me qëllim të realizimit (shtytjes) së politikave programore të orientimit të njëjtë apo ngjashëm politik.

Në faqe 12 autorët theksojnë se “cakton mandatarin për formimin e Qeverisëpas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit” – ky konstatim është i gabuar dhe është në kundërshtim të hapur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës KO103/14 të datës 1 korrik 2014. Madje z. Bajrami është në kundërshtim me vet pretendimet që i ka ngritur si përfaqësues i njërës nga palët në këtë procedurë.

Në faqen 20 autorët theksojnë se “Ajo është një organ i veçantë kushtetues, të cilit i besohet mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë” – ky konstatim është i gabuar, pasi Gjykata Kushtetuese është organ suprem i interpretimit kushtetues dhe mbrojtjes së kushtetutës (kushtetutshmërisë) dhe nuk është instancë e super-revizionit (instancë e shkallës së katërt). Ekziston numër i konsiderueshëm i vendimeve të GJK të Republikës së Kosovës në të cilat, palëve në procedurë u janë refuzuar proceduralisht kërkesat kushtetuese, me arsyetim të qartë se çështja e ligjshmërisë nuk është pjesë përbërëse e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk merret me interpretimi e fakteve dhe ligjeve (ligjshmërisë) por shqyrton nëse një procedurë gjyqësore në tërësinë e saj është zhvilluar në përputhje me garancitë kushtetuese (kushtetutshmërisë).

Në faqen 21 autorët flasin për procedurën para Gjykatës Kushtetuese dhe përcaktimin e objektit të kontestit. Gjuha kushtetuese në Republikën e Kosovës nuk e njeh termin padi kushtetuese – por njeh termin kërkesë apo kushtetuese (kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë). Në përdorim akademik përdoret edhe termi ankesë kushtetuese. Objekti i lëndës përcaktohet varësisht nga lloji i procedurës që zhvillohet para saj.

Nëfaqen 22 autorët theksojnë se “Këto subjekte paraqesin organet dhe institucionet kryesore kushtetuese, të cilat janë të detyruara ti drejtohen gjykatës kushtetuese për mbrojtjen e kushtetutshmërisë, sa herë që në punën e tyre zyrtare ndeshen me dukuritë jo kushtetuese dhe jo ligjore” – ky është konstatim i gabuar, sepse u sqarua se Gjykatat kushtetuese nuk shqyrtojnë çështje të ligjshmërisë. Për më tepër, palët e autorizuara “mund” t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, por nuk janë të obliguara, sikurse e theksojnë autorët.

Në tënjëjtën faqe autorët theksojnë se “Grupi i dytë i subjekteve, që mund të fillojnë procedurën e vlerësimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë japin të ashtuquajturën iniciativë kushtetuese, e cila i nënshtrohet vlerësimit paraprak të gjykatës kushtetuese, lidhur me ate se, a ekziston baza e dyshimit për shkelje të kushtetutës dhe ligjit para se të fillojë procedura e vlerësimit kushtetues” – u sqarua disa herë se është koncept bazik dallimi në mes të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë (dallim që autorët nuk e kanë të qartë). Gjithashtu, një ndarje e tillë nësubjekte te autorizuara dhe propozues të që japin të ashtuquajturën iniciativë kushtetuese nuk ekziston.

Nëfaqen 23 autorët theksojnëse “Gjykata kushtetuese merr vendimet e saj sipas mënyrës së përcaktuar me ligj ose kushtetutë. Vendimet e gjykatës kushtetuese merren me shumicën e votave të anëtareve të saj, me përjashtim të disa rasteve kur shprehimisht kërkohet shumica e kualifikuar prej 2/3 e votave të anëtareve të saj, psh, me rastin e vlerësimit të ekzistimit të shkeljeve kushtetuese nga shefi i shtetit dhe shkarkimit kushtetues të tij. Vendimet e gjykatës kushtetuese merren në formë të aktvendimit, në të cilin konstatohet bazueshmëria e padisë kushtetuese dhe përcaktohet vendimi i gjykatës dhe natyra juridike e tij” – këtu kemi disa konstatime të gabuara. Sepse vendimet e gjykatës kushtetuese nuk vendos me aktvendim për bazën juridike të kërkesës kushtetuese (të cilës gabimisht i referohen si padi kushtetuese). Në bazë të rregullit 59 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese ekzistojnë pesë (5) lloje të vendimeve që i nxjerrë GJKK: 1. Aktgjykim kur vendos në bazë tëmeritave të kërkesës 2. Aktvendim kur vendos për pranueshmërinë e kërkesës 3. Vendimet – kur vendos për masa të përkohshme etj. 4. Vendimet administrative dhe 5. Urdhra kur ajo vendos për çështje tjera.

Gjithashtu në bazë të nenit 19 paragrafi 3 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Gjykata vendos me shumicën e gjyqtarëve që janë të pranishëm, ndërsa ajo ka kuorum nëse janë prezent të paktën shtatë (7) gjyqtarë nga nëntë (9).

Në faqen 24 autorët theksojnë se “Nëse gjykata kushtetuese konstaton se një ligj ose akt tjetër i përgjithshëm juridik është në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin, krahas konstatimit të tillë, ajo vendos për anulimin e këtij akti” – u sqarua disaherë se Gjykata Kushtetuese nuk bën vlerësim të asnjë akti juridik me ligjin, por vetëm me kushtetutën. Duke marr parasysh se ky konstatim paraqitet në vazhdimësi, ngritën dyshime nëse autorët i kanë të qarta konceptet bazike të së drejtës dhe gjyqësisë kushtetuese.

I nderuar Ministër,

Duke marr parasysh se teksti, ashtu si e përmendëm edhe më lartë, përpos që nuk ofron njohuri praktike dhe konkrete për përgatitjen e provimit të jurisprudencës dhe ushtrimin e profesioneve juridike – dhe në anën tjetër përmban gabime thelbësore, sepse është një tekst i cili është hartuar para 10 viteve, pra nuk është në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi. Prandaj është obligim i juaji dhe vartësve tuaj që të ndërmerrni të gjithë hapat e nevojshëm për tërheqjen e këtij teksti nga përdorimi.

Në shenjë korrektësie ndaj donatorit të projektit, UNDP, duhet t’i kërkoni falje në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës qëështë lejuar shpenzimi joserioz i të hollave duke i bashkangjitur madje një tekst që vetëm se ka ekzistuar në botime të mëhershme.

Ndërsa shpresoj se do të formoni edhe një komision hetimor ndaj personave përgjegjës që kanë lejuar botimin e një teksti kaq skandaloz dhe i cili asnjëherë nuk ka qenë jo vetëm në pjesën e sistemit kushtetues, por edhe në pjesën tjetër të tekstit i mjaftueshëm për përgatitjen e provimit, sepse janë vetëm paraqitje sipërfaqësore. Ndërsa anëtarët e komisionit çdoherë i kanë tejkaluar këto korniza sipas dëshirave personale, kurse në këtë doracak nuk ofrohet asnjë material për përgatitje të provimit me shkrim.

Ky doracak përmban një tekst sipërfaqësor dhe si i tillë nuk është dashur të lejohet asnjëherë të del në publik, e aq më pak të pretendohet se është i mjaftueshëm për përgatitjen e provimit të jurisprudencës apo ushtrimin e profesioneve juridike.

Mbes me shpresë që do të trajtoni seriozisht një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe serioze e cila është parakushti kryesor për funksionimin efikas të sistemit juridik në Kosovë.

Me respekt,Durim Berisha

/Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit