Këto janë mënyrat se si të dallohet dhe të kurohet Hepatiti C

Mos i humb

Disa pacientë raportojnë pak ose aspak simptoma gjatë fazës akute të infeksionit. Po kështu, shumica e personave me hepatit kronik C nuk kanë simptoma dhe jetesa e tyre është relativisht normale.

Megjithatë të tjerë kanë simptoma të ngjashme me një gjendje gripale si të përziera, lodhje dhe dobësi, ethe, dhimbje koke, humbje të oreksit, dhimbje abdominale, dhimbje të muskujve dhe të artikulacioneve. Për periudha disavjeçare personat mund të zhvillojnë simptoma edhe më serioze që lidhen me dëmtimin e mëlçisë.

Simptomat qe mund te lidhen me hepatitin C

Hepatiti akut C: gjendje gripale, lodhje, ethe, djersitje natën, humbje të oreksit, të përziera dhe të vjella, diarre, zverdhje, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe artikulacionesh, dhimbje dhe fryrje abdominale.

Hepatiti kronik C: lodhje, ethe, humbje të oreksit, çrregullime digjestive, dhimbje koke, dhimbje abdominale, dhimbje muskujsh dhe artikulacionesh, depresion dhe luhatje shpirtërore, si dhe gjendje e turbullt mendore.

Stadi i vonë i hepatitit C me cirrozë: lodhje, ethe, humbje të oreksit, të përziera dhe të vjella, mbajtje të lëngjeve në organizëm, urinim të shpeshtë, zverdhje, dhimbje koke, barku, muskujsh, fryrje abdominale, depresion dhe luhatje shpirtërore, mungesë përqendrimi, konfuzion mendor, marrje mendsh.

Fakte për HCV:

Instituti Nacional i Shëndetit vlerëson se 4 milionë amerikanë janë të infektuar me hepatit C.

8000-10000 amerikanë vdesin çdo vit nga komplikacionet e lidhura me HCV. Pritet që kjo shifër të trefishohet në 10-20 vitet e ardhshme.

HCV është arsyeja kryesore e transplantit të mëlçisë në USA.

Personat me HCV duhet të eliminojnë përdorimin e alkoolit.

Personat më HCV duhet të vaksinohen për hepatit A dhe B.

Diagnoza e hepatitit C:

Ekzistojnë teste të cilat zbulojnë nëse jeni të infektuar nga hepatiti C dhe stadin e progresionit të sëmundjes. Këto teste nuk praktikohen në rutinë, por është mjeku ai që kërkon kryerjen e këtyre testeve.

Disa nga këto teste po përmendim më poshtë:

Antitrupat anti-HCV: është një test i thjeshtë gjaku që zbulon antitrupat HCV që konfirmojnë infektimin.

Testet e ngarkesës virale: masin sasinë e virusit të hepatitit C në gjakun qarkullues dhe njësia matëse është ose në kopje për ml ose me një njësi standarde IU. Përmes këtij testi konfirmohet aktiviteti i sëmundjes, parashikohet përgjigjja e trajtimit medikal dhe matet se sa e luftojnë mjekimet virusin.

Testet e përcaktimit të genotipit: këto teste përdoren për të përcaktuar se ç’tip të infeksionit HCV keni. Ky test jep informacion të rëndësishëm në lidhje me vendimin që duhet marrë për mjekimin, sasinë dhe zgjatjen e mjekimit dhe mundësinë e përgjigjes së mjekimit.

Testet biokimike të funksionit të mëlçisë: këto teste tregojnë se sa mirë funksionon mëlçia. Këto janë enzima të mëlçisë të cilat çlirohen në gjak atëherë kur mëlçia është e dëmtuar. Rritja e këtyre enzimave mund të jetë indikatori i parë i infeksionit HCV; këto mund të jenë të rritura në nivele të larta ose të moderuara. Teste të tjera mund të përfshijnë fosfatazën alkaline (ALP) dhe gamaglutamil transpeptidazën (GGT) pasi nivelet anormale të tyre mund të indikojnë cirrozën dhe bllokimin e rrugëve të tëmthit. Gjithashtu mjeku duhet të kërkojë nivelin e protrombinës (mat shpejtësinë e koagulimit) dhe nivelin e bilirubinës (rritja e së cilës rezulton në zverdhje).

Biopsia e mëlçisë: përdoret për të vlerësuar ashpërsinë e inflamacionit , dëmtimin hepatik dhe nevojën e mjekimit. Shumë njerëz tremben përpara kësaj procedure, por komplikacionet janë shumë të rralla.

Si menaxhohet hepatiti C

Menaxhimi i HCV është i vështirë. Stili i jetesës luan një rol të rëndësishëm në menaxhimin dhe trajtimin e HCV. Dieta, ushtrimet fizike, menaxhimi i stresit luajnë rol kritik në mbajtjen e një shëndeti të mirë.

Alkooli dhe medikamentet Shumë studime kanë treguar se përdorimi i shtuar i alkoolit mund të progresojë infeksionin HCV në cirrozë hepatike. Duke qenë se shumë droga dhe medikamente përpunohen në mëlçi, njerëzit duhet të eliminojnë duhanin dhe drogat psikoaktive si kafeina, kanabis, teobromina etj.

Menaxhimi i stresit është i rëndësishëm, pasi të jetosh me HCV nuk është e lehtë, përkundrazi është stresuese. Ushtrimet, meditimi dhe menaxhimi i kohës mund të ndihmojnë në reduktimin e stresit. Meditimi është një mjet i rëndësishëm për të menaxhuar jetesën me një sëmundje kronike si HCV.

Menaxhimi i lodhjes

Lodhja dhe nivelet e ulëta të energjisë tek pacientët me HCV janë të shpeshta. Mësoni limitet fizike tuaja dhe mos u sforconi. Kur keni plan për aktivitete duhet të gjeni kohen e nevojshme për relaks të ndërmjetëm.

Rekomandohet që njerëzit me HCV duhet të vaksinohen ndaj hepatitit A dhe B nëqoftëse nuk janë të imunizuar. Vaksina e hepatit A konsiston në dy doza për një periudhë 6 mujore dhe vaksina e hepatitit B kërkon tre doza në një periudhë 6 mujore. Të dyja vaksinat janë bërë nga viruse të vrara dhe janë treguar të sigurta dhe efektive. Një kombinim i të dyja vaksinave është aprovuar nga FDA në Maj 2001.

Konkluzione

Hepatiti Kronik C është një sëmundje e mëlçisë me pasoja serioze.

Është e rëndësishme të rikujtojmë se shumë persona nuk kanë simptoma apo avancim të sëmundjes.

Ata që mund të kenë progresion të sëmundjes mund të ngelen të lirë ndaj simptomave për dekada me rrallë. Megjithatë, disa persona mund të zhvillojnë sëmundje serioze të mëlçisë që mund të rezultojë në pamjaftueshmëri hepatite deri në vdekje.

Trajtimet e reja të hepatitit C janë testuar dhe besohet se opsionet më të mira të trajtimit janë të disponueshme brenda 5 viteve. Në veçanti, ndryshimet e stilit të jetës si ushqyerja e mirë, ushtrimet fizike dhe menaxhimi i stresit mund të minimizojnë efektet anësore dhe mund të ngadalësojë progresionin e sëmundjes.

Ushqyerja Përderisa mëlçia përpunon dhe detoksifikon çdo gjë që ne hamë dhe pimë, një dietë e shëndetshme dhe e balancuar është esenciale. Kështu, një dietë e shëndetshme konsiderohet ajo me sasi të ulët yndyrnash, sasi normale të karbohidrateve komplekse (që ndodhen tek buka, makaronat, fasulet e thata) si dhe sasi të mjaftueshme proteinash. Konsumoni fruta dhe zarzavate organike duke reduktuar kështu punën detoksifikuese të mëlçisë, pasi ushqimet jo organike, të përpunuara, të konservuara dhe të ngrira përmbajnë kimikate dhe pesticide. Proteinat me prejardhje nga shpendët, peshku dhe ato bimore janë më të dobishme. Personat që kanë sëmundje të mëlçisë nuk duhet të konsumojnë produkte deti të gjalla ose të pagatuara mirë për shkak të mundësisë së infektimit prej tyre me hepatitit A, gjë që do ta komplikonte shumë një mëlçi të sëmurë më parë.

Rekomandohet që personat me HCV duhet të shmangin ushqimet me përmbajtje të lartë yndyrnash, kripe dhe sheqeri. Kafeja është një agjent kimik që përpunohet nga mëlçia prandaj duhet limituar marrja e saj, e çajit, e çokollatës dhe e produkteve të tjera që përmbajnë kafeinë. Një dietë e balancuar duhet të përmbajë mineralet dhe vitaminat esenciale. Por shumë persona marrin suplemente vitaminike, gjë që mund të jetë e dëmshme. Kështu duhet të shmangni dozat e larta të vitaminës A dhe D, pasi mund të jenë toksike për mëlçinë. Nëse ju nevojiten minerale dhe vitamina ekstra duhet të zgjidhni ato me dozë të vogël dhe pa përmbajtje hekuri./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit