KFOR-i Turk hap rrugën që lidh Memorialin e Reçakut dhe Kullën e Lirisë

Mos i humb

 

Në Komunën e Shtimes e cila ndodhet në pjesën qendrore të Kosovës, sot u bë hapja e rrugës së ndërtuar duke filluar nga Kompleksi Memorial i Reçakut deri te “Kulla e Lirisë”, punimet e së cilës janë bërë nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk), raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo rrugë e re, e cila lidh dy vende të rëndësishme për Komunën e Shtimes, atë të Kompleksit Memorial të Reçakut dhe “Kullës së Lirisë”, aty ku janë masakruar 45 civilë nga forcat serbe në vitin 1999, është hapur nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) në bashkëpunim me komunën. Rruga ka një gjatësi prej afro 1,5 kilometrash dhe punimet për hapjen e saj kanë nisur më 11 prill të vitit 2018.

Në hapjen e kësaj rruge morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım, përfaqësuesit komunal, të Forcave të Sigurisë së Kosovës si dhe banorë të Shtimes.

Në një deklaratë për AA, kryetari i Komunës së Shtimes, Ismajli tha se hapja e këtij projekti të rëndësishëm bëhet në një ditë të rëndësishme për këtë komunë, ku 26 korriku shënohet si Dita e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se ky është një nga projektet, në mesin e shumë të tjerave që kjo komunë ka realizuar së bashku me KFOR-in Turk. Ismajli thekson se kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Këshillin Turk në Kosovë.

“Ne i jemi shumë falënderues KFOR-it, i cili realisht në komunën tonë përveç detyrës së përditshme që e kryen në aspektin e fushës së sigurisë ka gjetur mundësinë dhe vullnetin dhe me pjesë tjetër të teknikës të na ndihmojë. Sot patëm rastin ta promovojmë një objekt shumë të rëndësishëm, rrugën e cila e lidh kompleksin dhe kullën”, tha Ismajli.

Ai u shpreh se kjo rrugë krijon mundësinë që njerëzit të cilët vijnë në Reçak t’i vizitojnë këto objekte që tregojnë luftën e UÇK-së. “Nuk ka pasur asnëj rrugë direkte, kemi pasur rrugë alternative përgjatë fshatit Petrovë, mirëpo kjo është rruga më e shkurtër dhe rruga më e drejtë, rruga e cila ka edhe një simbolikë të lidhjes së këtyre monumenteve”, tha kreu i Shtimes.

Ismajli po ashtu bëri të ditur se KFOR-i Turk ka kryer punën kryesore të hapjes së rrugës me hapjen e trasesë e të kanaleve dhe që pjesa e furnizimit me zhavor është bërë me kontributin e disa bizneseve dhe kompanive vendore. Ai njoftoi se në të ardhmen komuna do të bëjë asfaltimin e kësaj rruge.

Pas hapjes së rrugës, në hapësirat e Kullës së Lirisë u mbajt edhe një program përkujtimor për Dëshmorët e UÇK-së.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit