Khashoggi: një vrasje e pranuar dhe shumë pyetje pa përgjigje

Mos i humb

Nga Bujar M. Hoxha

Jamal Khashoggi, siç njihet tashmë ndërkombëtarisht, hyri më 2 tetor në portën e konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll, por nuk doli më që andej. Zhdukja e tij qe lajm fillimisht vetëm në Turqi, për t’u shndërruar më pas në ngjarjen botërore numër një. E gjithë përpjekja disajavore për të zbuluar fatin e tij dhe pesha që fitoi kjo ngjarje globalisht, me përfshirjen e shumë aktorëve, e shndërruan atë, siç thuhej këtë të premte në lajmet kryesore të një kanali televiziv turk, në “shahun e shekullit të njëzet e një”.

Kjo lojë shahu dha një përgjigje sot, por vetëm mbi fatin e gazetarit fatkeq, i cili zyrtarisht njihet tani si i vrarë. Në aspektin gjeopolitik dhe gjeostrategjik, shahu vijon, për të ndryshuar mbase tërë rrjedhën e ngjarjeve në një rajon që zihen vazhdimisht, ku nuk ka paqe nën ullinj.

Gazetari në mërgim, me një të fejuar turke, po kërkonte të merrte në konsullatë dokumentacionin e ndarjes me të shoqen në Arabinë Saudite, dhe i ishte lënë takim për atë të martë. Atij i kishin telefonuar më herët përgjatë javës punonjësit e konsullatës për lënien e një date të saktë të vajtjes atje. Në të hyrë, ai i la së fejuarës dy aparatet telefonike në përdorim dhe e këshilloi të njoftonte njerëzit e njohur nëse nuk dilte nga konsullata brenda dy orëve, sipas rrëfimeve të të interesuarve.

Siç e kishte parandjerë, Khashoggi nuk do të dilte më nga ajo derë, as nga dera tjetër e konsullatës. Një gazetar turk me njohje të afërta me Khashoggi-n, e njëkohësisht kryetar i një shoqate të medias turko-arabe, e bëri fakt të kryer eliminimin e tij vetëm pesë ditë pas zhdukjes.

Autoritetet turke qenë më të përmbajtura në trajtimin e ngjarjes, edhe pse dukej se kishin informacion mbi atë që mund të kishte ndodhur. Pa një konfirmim zyrtar, ato nuk ishin të prirura të dilnin në përfundime të nxituara. Dhe për këtë kërkuan hetim, pranuan të bashkëpunojnë me sauditët, dhe këmbëngulën në kontrollin fizik të konsullatës dhe të banesave brenda territorit të saj. Leje që e morën shumë ditë më pas, pavarësisht një gatishmërie të sipërfaqshme.

Ndërhyrja më e fortë nga jashtë ishte ajo amerikane, me deklarata të njëpasnjëshme të presidentit Trump, dhe me një vizitë në Arabinë Saudite dhe në Turqi të sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Lëvizje të çuditshme të automjeteve të konsullatës atë ditë, pesëmbëdhjetë persona të ardhur dhe të larguar me dy avionë brenda 24-orëshit të ngjarjes, të quajtur “ekipi i ekzekutimit” nga media turke, kamerat jashtë pune brenda konsullatës, regjistrimet e zërit që thuhej se disponoheshin, ngulmimi i autoriteteve turke se Khashoggi nuk kishte dalë nga konsullata, e bënin krejt naive idenë se ai mund të ishte ende gjallë.

Dhe sot, pas tetëmbëdhjetë ditësh, Arabia Saudite u detyrua të pranojë se Jamal Khashoggi ka humbur jetën pas një përplasjeje fizike brenda ambienteve të konsullatës! Pushimet nga puna, arrestimet dhe hetimet me këtë rast janë të kuptueshme: dikush duhet ta paguajë faturën!

Nëse u mësua fundi i hidhur i një gazetari saudit në konsullatën e vendit të tij, ka disa pikëpyetje të forta mbi ngjarjen:

Pse u desh të eliminohej Khashoggi brenda konsullatës kur kishte dhjetëra mënyra për të vepruar ndryshe? Mendjelehtësi, sjellje e llastuar nga pozita aktuale e mirë ndërkombëtare, apo paaftësi totale? Dalje jashtë kontrollit e planit?

Pse u eliminua Khashoggi, një gazetar me një qëndrim sidoqoftë të moderuar kundërshtues ndaj pushtetmbajtësve të vendit të tij? Një i afërt dikur me oborrin mbretëror, mos dinte ai gjëra më tepër se ç’duhej?

Pse nuk u pranua vrasja për më shumë se dy javë? Pse u mor aq hapur një personel pastrimi në sytë e gjithë botës për një pastrim tërësor brenda konsullatës? Pse, siç pohon një gazetare e “Daily Sabah”-ut, ditën e zhdukjes së gazetarit ka patur një gosti në kopshtin e rezidencës së konsullit, diçka e pahasur më parë, sipas dëshmive të fqinjëve në godinat përreth?

Ku gjenden mbetjet e trupit të gazetarit, dhe pse eliminimi qe aq makabër, nëse dhe mënyra e vrasjes, ende jo zyrtare, rezulton të jetë e vërtetë?

Pse dy ditë më parë versioni në anglisht i “Al Arabiya”-s kërkonte të tërhiqte vëmendjen me një shkrim të gjatë mbi të fejuarën turke të gazetarit, duke kërkuar të gjejë lidhjet e saj të tërthorta “terroriste”?

A ishte kjo veç një vrasje, apo shumë më tepër se kaq? Pse në Stamboll? Mos ishte një kurth për Turqinë?

A do t’i bëjë ballë princi saudit i kurorës të tërë kësaj?

Të gjitha këto pyetje duan përgjigje. Nuk mjafton një pohim i thjeshtë për vrasjen! /tesheshi.com/    

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit