Kim Jong-un mbetet i vendosur për denuklearizimin

Mos i humb

 

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, është ende i vendosur të denuklearizojë vendin, por këtë shpreson ta bëjë në faza, njoftoi media zyrtare e Phenianit.

Me më pak se dy javë deri në samitin e planifikuar mes Kim dhe presidentit amerikan, Donald Trump, qasja në faza e favorizuar nga Kim thuhet të jetë në kundërshtim me qëllimin më të afërt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të realizuar një denuklearizim të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm të Veriut.

“Vullneti i Koresë së Veriut për denuklearizimin e Gadishullit Korean mbetet ende i pandryshuar, i qëndrueshëm dhe fiks”, u citua të ketë thënë Kim në takimin me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

“Ai shpreson se marrëdhëniet Kore e Veriut-SHBA dhe denuklearizimi i Gadishullit Korean do të zgjidhen fazë pas faze”, njoftoi KCNA.

Vizita e Lavrovit në Phenian një ditë më parë bëri që ai të jetë ministri i parë i jashtëm rus që udhëton në Korenë e Veriut pas nëntë vitesh.

Sipas KCNA, Kim është gjithashtu i vendosur të takohet me presidentin rus Vladimir Putin këtë vit për herë të parë, ndërsa dy shtetet shënojnë 70 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Ndërkohë, teksa Veriu është angazhuar më tej në dialogun për denuklearizim me SHBA-të këtë javë, bisedime ndërkoreane të nivelit të lartë u mbajtën sot në fshatin kufitar Panmunjom.

Ministri i Bashkimit i Koresë së Jugut, Cho Myoung-gyon, tha para gazetarëve se do të ndjekë zotimin e ndërsjellë për të synuar bashkëpunimin paqësor dhe denuklearizimin, sipas marrëveshjes që u arrit gjatë samitit të udhëheqësve të dy Koreve më 27 prill.

“Do të kemi diskutime me Veriun mbi mënyrat për të zbatuar atë që liderët e të dy vendeve ranë dakord në Deklaratën e Panmunjomit dhe samitin e mbajtur më 26 maj në një mënyrë të shpejtë dhe pa pengesa, duke krijuar një atmosferë pozitive për samitin në mes të Veriut dhe Shteteve të Bashkuara”, citohet të ketë thënë Cho nga Agjencia e Lajmeve Yonhap para se të niset për bisedimet kufitare me homologun e tij të Koresë së Veriut, Ri Son-gwon.

Dialogu në fjalë i nivelit të lartë fillimisht ishte caktuar për më 16 maj, por Koreja e Veriut e kishte pezulluar atë, duke hedhë fajin mbi stërvitjet ushtarake të Jugut me Shtetet e Bashkuara.

Marrëdhëniet u përmirësuan sërish kur lideri verikorean Kim pati një takim të papritur me presidentin e Jugut, Moon Jae-in fundjavën e kaluar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit