KMDLNJ kërkon që për të pagjeturit të diskutohet në Bruksel dhe shpagim për viktimat

Mos i humb

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, përmes një reagimi për media ka kërkuar që të sigurohen informata dhe drejtësi për të gjithë personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Në reagimin e KMDLNj-së është kërkuar po ashtu që kjo çështje të diskutohet edhe në bisedimet Kosovë – Serbi dhe që Kosova të kërkojë shpagim për viktimat.

Sipas KMDLNj-së, shoqatat dhe familjarët e të pagjeturve janë duke manipuluar nga partitë politike.

Ky është reagimi i KMDLNj-së:

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë edhe 1658 persona janë në listën e të pagjeturve ndërkaq që familjet e tyre janë të privuara nga një e drejtë elementare e njeriut, e drejta për t’u informuar për fatin e më të dashurve të tyre.

Ankthi i këtyre familjeve po zgjat që nga viti 1998, 1999 dhe viti 2000 për faktin se palët që janë përfshirë në luftë nuk kanë treguar për fatin e tyre shkaku se mbajnë përgjegjësi morale dhe ligjore për zhdukjen e tyre.

Sipas statistikave, ndonëse nga aspekti i të drejtave të njeriut është diskriminuese të ndahen viktimat në bazë të përkatësisë nacionale, fetare etj., afërsisht 70% janë shqiptarë kurse 30% janë serbë, romë, ashkalinj, boshnjak dhe të tjerë.

Realisht, kjo ndarje diskriminuese e viktimave që janë në listën e të zhdukurve ka krijuar kushte që edhe gjatë realizimit të së drejtës njerëzore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, palët që e kanë pësuar më shumë të kërkojnë ndriçimin e fatit të familjarëve të tyre ndërsa kanë injoruar të drejtën e palës tjetër ta kërkojnë po të njëjtën të drejtë.

KMDLNj, në vazhdimësi ka kërkuar që të gjitha viktimat të trajtohen si viktima pa bërë dallime në baza etnike, fetare, bindjeve politike, statusit ekonomik dhe tjetër në shoqëri sikur që ka bërë thirrje që të sillen para organeve të drejtësisë ata që planifikuan, e fshehën, nuk e penguan apo zbatuan politikat që për pasojë kanë zhdukjen pa gjurmë të 1658 personave.

Edhe për këta që dyshohet se kanë bërë krim me kidnapimin e civilëve apo edhe personave të uniformuar e që duhej të trajtoheshin si robër lufte, pavarësisht përkatësisë etnike, pas administrimit të provave duhet të përballen me dënimet e merituara, jo si shenjë hakmarrjeje por si shembull që do të ndikonte dhe ndihmonte në mospërsëritjen e këtij krimi të rëndë kundër civilëve të pafajshëm dhe kategorisë që i mbron Ligji për të Drejtën Humanitare dhe zakonet e luftës.

Bashkësia ndërkombëtare, për shkak të oprtunitetit politik nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për t’i detyruar palët ndërluftuese, menjëherë pas përfundimit të luftës të tregojnë për fatin e personave të pagjetur dhe këtë çështje e kanë keq-përdorur për t’i shantazhuar palët përgjegjëse ndërsa familjarët i kanë mbajtur dhe ende po i mbajnë në ankth, duke mos siguruar informata për fatin e të pagjeturve. Shoqatat dhe familjarët e të pagjeturve, në vend se të bashkohen sepse e kanë një qëllim dhe vuajtje të përbashkët, janë ndarë pikë e pesë duke u manipuluar nga partitë politike të cilat nuk kanë qenë dhe nuk janë në gjendje ta zgjidhin fatin e të pagjeturve, duke kontribuar kështu në vazhdimin e agonisë për familjarët që kërkojnë zbardhjen e fatit të personave që janë në listën e të zhdukurve.

Lufta për fatin e familjarëve të zhdukur dhe lufta për drejtësi, duke ndëshkuar kriminelët, kohëve të fundit ka mbetur pa përkrahje institucionale apo se kjo përkrahje është e natyrës deklarative që përdoret për qëllime dhe përfitime politike. Çështja e të pagjeturve asnjëherë nuk është shtruar në bisedimet në Bruksel sepse ka munguar vullneti politik apo është kushtëzuar vetëm me kërkesë të njërës palë e që praktikat e të drejtave të njeriut nuk e njohin apo e njohin si parim që diskriminon njërën palë duke ia mohuar të drejtën për informata.

Të drejtat e njeriut, me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për këto të drejta e njohin vetëm parimin e universalitetit, si drejta të përgjithshme që nuk mund të mohohen prandaj, në këtë kontekst, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë kërkon zbardhjen e fatit për të gjithë personat që janë në listën e të zhdukurve sikur që kërkon drejtësi dhe shpagim për ta dhe, me theks të veçantë kërkon përgjegjësi për ata që e shkaktuan këtë krim kundër njerëzimit duke shkelur zakonet e luftës./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit