Kohët e pranimit të lutjes (duasë)

Mos i humb

Nëse duaja shoqërohet me prezentimin e zemrës dhe përqëndrimin e saj gjatë bërjes dua bën që të realizohet ajo çfarë kërkohet.

Duaja duhet të bëhet në kohët e përshtatshme në të cilat lutja nuk refuzohet.

Kohët e përshtatshme janë: 1/3 e fundit të natës, koha gjatë thirrjes së ezanit, ndërmjet ezanit dhe ikametit, pas namazeve farze, kur të ngjitet imami në minber në ditën e xhuma e derisa të përfundojë namazi i xhumasë si dhe ora e fundit pas namazit të ikindisë të së njëjtës ditë.

Njeriu i cili bën dua duhet ta bëjë këtë me zemër të koncentruar, me përulësi para Allahut të Lartësuar.

Gjatë bërjes dua duhet të drejtohemi nga kibla, nuk duhet të mungojë pastërtia, duhet t’i ngrisim duart, duaja duhet të fillojë me falënderimin dhe madhërimin e Allahut të Lartësuar, më pas duhet dërguar salavate të Dërguarit të Tij, duhet të pendohemi dhe të kërkojmë falje, duhet të jemi këmbëngulës gjatë bërjes dua, t’i lutemi Allahut duke i përmendur emrat dhe cilësitë e Tij, duasë t’ia shoqërojmë edhe lëmoshën,…

Nëse plotësohen kushtet që u përmendën më lart lutja nuk refuzohet dhe sidomos kur e lut Allahun me lutjet të cilat e ka lutur i Dërguari i Tij.

Dëgjojmë shumë raste kur njerëzit i janë lutur Allahut e Ai i është përgjigjur lutjes së tyre.

Kjo ka ndodhur për arsye se ndoshta ky njeri ka vepruar një të mirë e cila e ka afruar te Allahu ose lutja është bërë në momentet kur ajo nuk refuzohet.

Dikush mendon se sekreti është në fjalët që përmban lutja kështu ai i mënjanon faktorët shoqërues të saj.

Kjo është sikur njeriu i cili e përdor një ilaç të dobishëm në kohën e duhur, e kjo i ka bërë dobi. Dikush tjetër mendon se përdorimi i këtij ilaçi mjafton për arritjen e qëllimit të kërkuar por kjo është gabim.

Si shembull mund të marrim dikë i cili bën dua në mënyrë urgjente dhe lutja i pranohet kur ai është afër varrit.

I padituri në këtë rast mendon se sekreti që iu pranua lutja është se ishte te varri dhe nuk e din se sekreti është te nevoja dhe sinqeriteti ndaj Allahut.

E sikur kjo të ndodhte në një shtëpi nga shtëpitë e Allahut do të ishte më e mirë dhe më e dashur te Allahu.

Parashtrohet një pyetje e njohur në mes të njerëzve: Nëse Alllahu ka përcaktuar të ndodhë diçka ajo patjetër do të ndodhë si bëri dua njeriu si nuk bëri dhe nëse nuk e ka përcaktuar Allahu që të ndodhë ajo nuk do të ndodhë sido që të veprojë njeriu të bëjë dua apo jo.

Disa menduan se kjo është e saktë prandaj edhe e lanë duanë duke thënë se nuk ka dobi në të. Këta njerëz janë të paditur dhe të humbur.

Themi: Nëse ngopja të është caktuar ty, kjo patjetër do të ndodhë si hëngre si nuk hëngre, e nëse nuk të është caktuar nuk do të ndodhë ajo si hëngre si nuk hëngre.

Nëse është përcaktuar lindja e fëmijës patjetër do të lindë, prandaj edhe nuk ka nevojë për martesë.

A mund t’i thotë këto fjalë një njeri me logjikë të shëndoshë? Përkundrazi, edhe kafshët janë krijuar që t’i marrin në konsideratë shkaqet për vazhdimin e jetës së tyre. Kafshët janë më të kuptueshme se këta njerëz të humbur.

Disa thonë: Lutja është të angazhuarit me dua, e cili është adhurim i thjeshtë dhe për të cilën robi shpërblehet pa pasur efekt te kërkesa e tij. Te këta nuk ka dallim mes duasë me zemër dhe gjuhë për pranimin e lutjes. Lidhja e duasë te ta është si lidhja me heshtjen, nuk ka dallim tjetër.

Disa të tjerë thonë: Duaja është thjesht një shenjë të cilën Allahu e ka bërë sinjal për realizimin e nevojës së tij.

Kur robi bën dua kjo është një shenjë për të se nevoja e tij është plotësuar, kjo është sikur kur e sheh një re të zezë të ftohtë në kohën e dimrit, kjo është një shenjë që sinjalizon se do të bjerë shi.

Kanë thënë: Kështu janë bindja me shpërblimin, kufri dhe mëkatet në lidhje me dënimin por jo se këto i kanë shkaqet, kështu e krahasojnë thyerjen me shkak e atë pa shkak, djegien me shkak e atë pa shkak, vrasjen me shkak e atë pa shkak.

Të gjitha këto sipas mendimit të tyre nuk janë shkaqe dhe nuk kanë lidhje mes tyre. Me këtë ata kanë kundërshtuar edhe ndjenjën me mendjen dhe fenë me natyrën.

Është edhe një grup tjetër i tretë i cili thotë: Caktimi është bërë në bazë të shkaqeve, prej shkaqeve është duaja. Kur robi realizon shkakun ndodh edhe caktimi, e kur nuk e realizon shkakun nuk ndodh caktimi.

Ngopja vjen si rezultat i të ngrënit ushqim dhe pirjes së pijeve, lindja e fëmijës bëhet si shkak i marrëdhënieve intime, të korrurat vijnë si rezultat i mbjelljes së farës, dalja e shpirtit të kafshës vjen si shkak i therjes së saj, hyrja në Xhenet bëhet në bazë të veprave edhe hyrja në zjarr bëhet në bazë të veprave.

Mendimi i grupit të tretë është i saktë.

Duaja është ndër shkaqet më të mëdha dhe nuk bën të themi se ajo është e padobishme. Gjithashtu, nuk mund të themi se njeriu nuk ka dobi prej ushqimit, pirjes, lëvizjes dhe punëve. Nuk ka sebep më të dobishëm për realizimin e kërkesës se duaja.

Sahabët – radijall-llahu anhum – të cilët janë më të diturit e këtij ummeti për Allahun, të Dërguarin e Tij dhe për dinin e Allahut e realizonin këtë shkak, kushtet dhe edebet e tij më shumë se çdo kush tjetër. Umeri – radijall llahu anhu – ju thoshte sahabëve: “Ndihma nuk vjen nga numri i madh që keni, por ndihma vjen nga qielli” dhe vazhdonte: “Unë nuk shqetësohem për pranimin e duasë por për gjendjen e saj. Në rast se e keni bërë ashtu siç duhet atëherë përgjigjen e keni me vete.”

Kur robi frymëzohet për dua kjo tregon se atij i është bërë gati përgjigja. Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem…” (Gafir: 60)
Dhe thotë: “E nëse robërit e mi të pyesin për Mua, atëherë thuaj Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së atij që lutet…” (El Bekare: 186)

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit