Komunat e Kosovës pritet të përfitojnë miliona euro nga BERZH

Mos i humb

Nga Bashkim Kastrati

Kosova pritet të përfitojë qindra milionë euro përmes projekteve që do t’i marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Këto projekte janë të fushave të ndryshme dhe pritet të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka prezantuar 39 projekte në samitin e Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga BERZH, që është zhvilluar në Londër.

Projektet janë nga sektori publik dhe ai privat, që janë të dedikuara në infrastrukturën rrugore, trajtimin e ujërave të zeza, ujit të pijshëm, projekte nga prodhimi i energjisë alternative dhe projekte të prodhimit, vlera e të cilave thuhet se arrin në rreth 600 milionë euro.

Zyrtarë të qeverisë kanë bërë të ditur se 22 komuna kanë aplikuar me projekte që kushtojnë mbi 500 mijë deri në 90 milionë euro. Ndër investimet e mëdha për të cilin është kërkuar mbështetje është edhe rreth- rrotullimin e Unazës së Prishtinës, e cila i lidh periferitë e Prishtinës, me një lartësi prej 63 milionë eurosh.

Gjatë prezantimit të projekteve në samitin e Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga BERZH, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së vendit në zhvillimin e projekteve rajonale dhe bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai këtu ka përmendur projektet si: ndërtimi i linjës së re hekurudhore që lidh Kosovën me Shqipërinë, një linjë tjetër që lidh vendin me Malin e Zi, përfundimi i autostradës Prishtinë – Shkup dhe interesimin që Kosova të ketë qasje në gaz-sjellësin Trans-Adriatik.

Ndërsa nga koha e aplikimit kur fillon të shqyrtohet një projekt, zgjat prej gjashtë deri në nëntë muaj, pra është e domosdoshme që komunat t’i përgatitën sa më shpejt projektet e tyre dhe kur të kontaktohen nga BERZH t’i kenë të gjitha projektet e gatshme për aplikim.

Njohësit e fushës ekonomike thonë se Kosova mund të përfitojë investime të shumta nga ky samit dhe se këto projekte janë të favorshme për Kosovën edhe për faktin se periudha e kredisë dhe normat e interesit nga BERZH-i janë të favorshme për Kosovën.

Por ata thonë se institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm me projektet që i prezantojnë, t’i japin prioritet fushave të cilat i përkrahë BERZH më së shumti dhe projektet të jenë të përgatitura në mënyrë profesionale që të miratohen nga ky institucion financuar ndërkombëtar.

Ndryshe, Republika e Kosovës në vitin 2012 është anëtarësuar në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim.

BERZH e kishte ndihmuar zhvillimin e Kosovës, duke përfshirë sektorin publik dhe privat, edhe pa qenë anëtare e saj.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është themeluar në vitin 1991 dhe deri më sot ka investuar mbi 100 miliardë euro në mijëra projekte, në ekonomitë e më shumë se 30 vendeve. BERZH u themelua me qëllim të financimit të projekteve strukturore në vendet ish-socialiste nga Evropa Qendrore dhe Lindore, duke i mbështetur ato në fazën e tranzicionit drejt ekonomisë së tregut. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit