Korrigjimi i kufirit, Haradinaj kundër. Hahn: Marrëveshja të mos dëmtojë stabilitetin

Mos i humb

Për të dytin vit radhazi, Edi Rama thirri në Durrës kryeministrat e rajonit me shpresën që ta kthejë në një traditë takimin informal, i cili i kushtohet bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

Pavarësisht kësaj, shkëlqyen me mungesën e tyre kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnjes. I pari që mbërriti në vilën qeveritare pranë bregut ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin Rama nuk i kurseu batutat, duke e këshilluar të hiqte kravatën. Njësoj si një vit më parë, prezent ishte edhe eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Në tryezën e diskutimeve ishin tema si integrimi i rajonit në BE, zbatimi dhe fuqizimi i Zonës Ekonomike Rajonale, marrëveshja për tarifat telefonike Roaming si dhe nisja e negociatave për njohjen reciproke të kualifikimeve akademike e profesionale.

Ndërsa çështja e kufirit Kosovë-Serbi tërhoqi të gjithë vëmendjen e konferencës për shtyp, ku ishte vetë kreu i Qeverisë së Prishtinës ai që hapi kapakun: “Kosova i ka kufinjtë e saj me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Ne i respektojmë këto kufij, nuk mendojmë se duhet ndonjë kreativitet i ri në ridizenjim, por t’i respektojmë”.

Mediat kosovare pyetën eurokomisionerin Johannes Hahn dhe kryeministrin Edi Rama në lidhje me çështjen e kufirit, por që të dy iu shmangën qëndrimeve direkte.

“Mendoj se nuk është e përshtatshme në këtë fazë që të bëjmë komente lidhur me negociatat në vazhdim. Presupozoj se takimi javën e ardhshme në Bruksel nuk do të jetë i fundit, do të ketë takim tjetër dhe sigurisht do të kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje. Për rrjedhojë, ju lutem kuptoni se nuk jam i gatshëm të bëj asnjë koment përveçse asaj që është parashikuar në strategjinë tonë të Ballkanit Perëndimor: ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë të zgjidhura mosmarrëveshjet dypalëshe. Ajo që ka vlerë për ne është stabiliteti në rajon. Çdo lloj marrëveshjeje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit”, tha Hahn.

Rama as nuk mori mundimin të shprehej, por tha fare shkurt se nënshkruante qëndrimin e Hahnit.

Kryeministri i Shqipërisë gjeti më shumë dëshirë për të folur kur u pyet mbi vendimin për të strehuar 20 emigrantë eritreas që gjendeshin në anijen Diciotti. Ai theksoi se Tirana nuk po përpiqet të joshë Europën në përpjekjet e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit: “Nuk e kemi bërë për të ndikuar, por nuk mund të rrinim spektatorë përballë një shfaqjeje dhimbjeje dhe turpi, ku njerëz të larguar nga Ferri u kthyen në të burgosur të impotencës politike apo edhe europiane po të doni. Nuk mund të zgjidhim këtë problem, por në pozitën e dikujt që thotë po jap edhe unë një dorë, bëmë sa mundëm”.

Rama shtoi se edhe në krizën e refugjatëve të vitit 2015 Ballkani bëri atë që duhej të kishte bërë Europa./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit