Korriku, muaji më i dhunshëm ndonjëherë në Meksikë

Mos i humb

Ministria e Sigurisë Publike e Meksikës ka bërë të ditur se gjatë muajit të kaluar në këtë vend janë vrarë një numër rekord i njerëzve.

Ministria theksoi se 2.599 raste të vrasjeve me paramendim u hapën në muajin korrik, me një total prej 3.017 viktimave të regjistruara.

Kjo shifër shënon numrin më të lartë mujor të regjistruar ndonjëherë që nga koha kur Meksika filloi të mbajë statistika në vitin 1997. Regjistrimi i mëparshëm prej 2.894 viktimash ishte bërë dy muaj më parë.

Në vitin 2018, ka pasur gjithsej 18.994 vrasje për shtatë muaj, që shënon një rritje prej 20 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Nëse vrasjet vazhdojnë me këtë prirje, viti 2018 do të jetë viti më i dhunshëm ndonjëherë në Meksikë.

Aktualisht, viti 2017 mban rekordin me 28.702 vrasje, viti më i lartë me vrasje në periudhën 20-vjeçare.

“Qeveria federale aktuale do të mbahet mend për paaftësinë e saj për të reduktuar dhunën në Meksikë”, ka shkruar në rrjetin social Twitter kreu i partisë opozitare, Omar Ortega Alvarez.

Shifrat e dhunës kanë qenë jashtë kontrollit për më shumë se një dekadë. Ish-presidenti Felipe Caldero në vitin 2016 nisi një luftë kundër drogës, një plan në kuadër të së cilit ai dërgoi ushtrinë për të luftuar trafikantët e drogës. Strategjia u vazhdua nga presidenti aktual dhe në ikje, Enrique Pena Nieto, në periudhën e të cilit u thyen rekorde të reja të dhunës.

Presidenti i zgjedhur, Andres Manuel Lopez Obrador, i cili do të marrë detyrën më 1 dhjetor, gjatë fushatës së tij vazhdimisht ka premtuar se do t’i japë fund strategjisë së diskutueshme dhe se do të provojë mënyra të reja për zgjidhjen e krizës së drogës, si pasojë e së cilës rrjedh dhuna./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit