“Kosova dhe Serbia të krijojnë marrëdhënie fqinjësore për integrim europian”

Mos i humb

 

Organizata joqeveritare (OJQ) Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore (QTSGJ) organizoi konferencën me temë ”Duke shtruar rrugën për ndërtimin e paqes dhe Integrimin evropian – Kontributi i Shoqërisë Civile në paqen dhe harmonia ndëretnike, me fokus në dialogun midis komunitetit shqiptar dhe serb në Kosovë”.

Drejtoresha e QTSGJ, Arjeta Rexha tha se objektivi i kësaj konference është prezantimi i angazhimeve të autoriteteve të Kosovës në ndërtimin e paqes dhe integrimin etnik duke theksuar se edhe shoqëria civile ka kontribuar në themelimin e harmonisë së qëndrushme ndëretnike për të lehtësuar implementimin e Marrëveshjes së Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Nga perspektiva evropiane marrëveshjet e Brukselit kanë dalë si një obligim ndërkombëtar për të dyja vendet Kosovën dhe Serbinë si vende që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian (BE). Mirëpo, në këtë aspirim që të dyja vendet paraprakisht duhet të krijojnë marrëdhënie fqinjësore si kusht themelor për integrim evropian një komponentë e rëndësishme për ngritjen e vetëdijes dhe involvimin në zbatim është edhe komponenta e shoqërisë civile”, tha Rexha.

Ndërsa, ish-negociatorja e Kosovës, në dialogun Prishtinë-Beograd, Edita Tahiri, tha se roli i grave duhet të jetë në qendër për një paqe të qëndrueshme në mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo theksoi se me ndihmën e grave edhe dialogu do të finalizohet me njohje të ndërsjellë të dy shteteve.

“Në kuadër të këtij dialogu nuk ka pasur gra shumë as nga ana e Kosovës e as nga ana e Serbisë. Edhe pse është një proces i rëndësishëm paqësor që synon normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore në mes dy shteteve pas një lufte, pas një gjenocidi që Serbia e ka bërë në Kosovë megjithatë gratë nuk ishin shumë. Kosova dha një provim të mirë kur vendosi kryenegociatoren femër, pra mua, ndërsa tek pala serbe kryenegociatori gjithmonë ka qenë mashkull. Ndërsa tek ekipet negociatore kemi pasur pak femra edhe tek pala jonë edhe tek ata”, theksoi Tahiri.

Këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Driton Lajçi, tha se paqja është arritur dhe se objektivi kryesor i shtetit është zhvillimi i qëndrueshëm drejt integrimit evropian. Ai tha se e çmojnë rolin e shoqërisë civile si në Kuvendin e Kosovës ashtu edhe në institucionet tjera shtetërore, veçanërisht për kauzat nacionale siç është integrimi evropian.

“Dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve. Siç thuhet tashmë marrëveshje e dyanshme, obligative e karakterit ligjor mirëpo shumë të rëndësishme janë raportet brenda nesh. Komunikimi dhe bisedimet apo pajtimi me serbët është gjithashtu i një rëndësie të veçantë. Është shumë i rëndësishëm pajtimi ynë me serbët. Prandaj ne nga perspektiva jonë inkurajojmë bashkëpunim ndërmjet universiteteve, organizatave rinore dhe studentore, mësimin e gjuhës së njëri-tjetrit”, tha ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit