Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç kanë zhvilluar një takim të përbashkët me ndërmjetësimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Takimi në fjalë është konfirmuar edhe nga presidenti Thaçi, përmes një postimi në Twitter, ndërsa konfirmoi se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë.
“Presidenti Thaçi në këtë takim ka konfirmuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit në Kosovë dhe integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë presidenti i Serbisë njoftoi gjithashtu se ka biseduar me presidentin francez për raportet me Prishtinën.
Takimi Thaçi-Vuçiç pason takimet e ndara që kanë pasur të hënën me presidentin Macron.