Kosova heq tarifën 100 për qind për mallrat serbe, fillon me zbatimin e reciprocitetit

Mos i humb

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të martën në mesnatë për heqjen e tarifës 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia dhe fillimin e zbatimit gradual të reciprocitetit, si parim me marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa ka vendosur për heqjen e kësaj tarife për produktet me origjinë nga Bosnjë e Hercegovina pa asnjë masë reciprociteti me të.

Vendimi i bërë publik nga Zyra e Kryeministrit, obligon që në marrëdhëniet me Serbinë emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Në një konferencë për media kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti para votimit në kabinetin qeveritar, ka bërë të ditur se vendimi hyn në fuqi menjëherë pas votimit të tij nga shumica e kabinetit qeverisës prej 17 anëtarësh.

“Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, emërtimet e përdorura në dokumentet si në vijim duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi. Certifikatat fitosanitare dhe dokumentacioni shoqërues për produktet ushqimore dhe joushqimore me prejardhje bimore dhe joshtazore që iu nënshtrohen kontrolleve në kufi, dhe së dyti, certifikata veterinare dhe dokumentacioni shoqërues për produktet ushqimore dhe joushqimore që i nënshtrohen kontrollit veterinar në kufi. Vendimin që po e marrim detyrohen ta zbatojnë Policia Kufitare, Dogana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), Agjencia për Produkte dhe pajisje medicinale dhe institucionet tjera përgjegjëse”, theksoi ai.

Sipas Kurtit, vendimi për heqjen e tarifës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe fillimi i zbatimin gradual të masës së reciprocitetit me të, nuk do vlejë edhe për Bosnjë e Hercegovinën.

“Me Bosnjë e Hercegovinën e heqim tarifën 100 për qind pa asnjë shtesë tjetër. Ne e dimë që edhe Bosnjë e Hercegovina vuan nga Serbia. Për shkak se neve na lufton së jashtmi ndërsa Bosnjë e Hercegovinën së brendshmi”, theksoi Kurti duke shtuar se pret nga autoritetet e këtij shteti që “meqë nuk e njohim njëra-tjetrën si shtet, Bosnja të heq vizat për kosovarët”.

Kryeministri në detyrë Kurti bëri të ditur se vendimi do të jetë në fuqi deri më 15 qershor e më pas do të bëhet “një vlerësim për mbarëvajtjen e tij sa i përket implementimit”.

Qeveria e Kosovës më 20 mars të këtij viti ka hequr tarifën 100 për qind për importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, teksa paralajmëroi heqjen komplet të kësaj tarife më 1 prill duke filluar me masën e reciprocitetit me shtetin serb.

Tarifa 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina hyri në fuqi në fund të vitit 2018, si kundërpërgjigje e Qeverisë së Kosovës për fushatën e Serbisë kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës si dhe kundër anëtarësimit të saj në mekanizma ndërkombëtarë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit