Kosova kujton Senatorin amerikan McCainin

Mos i humb

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kujtuar senatorin John McCain duke e quajtur mendje briliante që zbërthente me pak fraza problemet më komplekse të kohës.

Veseli ka thënë se Kosova ka qenë e bekuar që ka pasur miq të tillë si McCain.

“Vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës kishim nderin të presim senatorin John McCain, mikun e madh të lirisë dhe pavarësisë sonë. I ruaj të paharrueshme mbresat e veçanta nga takimi me të. Një mendje briliante që me pak fraza zbërthente edhe problemet më komplekse të kohës sonë. Kosova ka qenë e bekuar duke pasur miq të tillë si senatorin McCain. Vdekja e tij na ka pikëlluar të gjitheve. Prehu në paqe miku ynë i madh e i paharruar”, ka shkruar Veseli në Facebook.

McCainin e ka kujtuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se Kosova humbi mikun e çmuar, pa të cilin rruga drejt lirisë dhe shtetkrijimit do të ishte më e vështirë.

“I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Senatorit republikan të ShBA-së John McCain, familjes së tij, Senatit të SHBA-së dhe qytetarëve amerikanë, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta të popullit dhe të Qeverisë së Kosovës. Familja humbi të dashurin e vet, Amerika Heroin, kurse Kosova mikun e çmuar, pa të cilin rrugëtimi ynë drejt lirisë dhe shtetkrijimit do të ishte më i vështirë. Fitues në luftë dhe në paqe, luftëtar i madh për të drejtat e njeriut dhe ligjvënës i pashoq. Hyri në zemrat tona si humanist dhe do ta ketë vendin e nderit në kujtesën shtetërore të Kosovës. Lamtumirë mik i Kosovës, John McCain. Pusho i qetë!”ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behget Pacolli, ka thënë se McCain do të mbetet hero për ndihmën dhe lobimin pro Kosovës.

“Lamtumirë miku i madh i Kosovës John McCain. Senatori McCain përveq se hero i SHBA ishte dhe do të mbetet edhe hero për Kosovën, për ndihmën e madhe dhe lobimin e tij pro shtetit tonë”, ka thënë Pacolli.

Ish-presidentja, Atifete Jahjaga, ka thënë se Kosova do ta kujtojë senatorin John McCain për mbështetjen e palëkundur dhënë Kosovës.

“Senatori amerikan John McCain ka qenë një ndër zërat më të fuqishëm për liri dhe demokraci në botë, dhe një mik i dashur i Kosovës dhe popullit tonë. Për mbështetjen e tij të palëkundur, ne gjithmonë do e kujtojmë Senatorin McCain me admirim dhe respekt”, ka shkruar ajo./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit