Kosova vendosë masë reciproke ndaj produkteve të Maqedonisë së Veriut

Mos i humb

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Endrit Shala, ka marrë vendim për ndalimin e eksportit të mjaltit dhe patates së Maqedonisë së Veriut në territorin e Kosovës.

Siç njofton ministria, vendimi është marrë për shkak se Maqedonia e Veriut “është duke aplikuar barriera tarifore ndaj produkteve të Kosovës”, konkretisht ndaj rasatit të peshkut, që nga qershori i këtij viti.

Për këtë çështje, theksohet në njoftim, ministri Shala paraprakisht ka dërguar ankesa përmes sekretariatit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe po ashtu “iu ka drejtuar me letër ministrit të Ekonomisë, por që nuk kanë reflektuar”.

“Sot kam marrë vendim që të vendos masa reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndalojë hyrjen e disa produkteve në mënyrë që të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektojë dhe të ketë trajtim të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet”, tha ministri Shala, i cili theksoi se ishte i “detyruar që në mbrojtje të interesit të Kosovës, biznesit kosovar dhe në mbrojtje të prodhimeve të vendit” të ndërmarrë veprime ligjore.

Shala ka theksuar se duhet të ketë trajtim të barabartë, që sipas tij, është e vetmja rrugë që të ecet përpara.

“Në rast se ky trajtim do të vazhdojë, ne do të marrim edhe hapa të tjera, jo vetëm ndaj këtij shteti por edhe shteteve tjera”, shtoi ai.

Maqedonia e Veriut vendimin për ndalimin e eksportit të rasatit të peshkut nga Kosova e mori pa paralajmërim, më 20 qershor.

Për këtë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimkovski, tha se “ndalesa e importit të rezervave të peshkut në Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm për Kosovën, por për të gjithë shtetet që nuk kanë kryer monitorime dhe nuk kanë asnjë garanci për këtë material që do të na sjellë se sa është i shëndetshëm”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit