Kosovë, hapet fushata për legalizimin e ndërtimeve pa leje

Mos i humb

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka hapur sot fushatën e legalizimit të ndërtimeve pa leje “Legalizo ndërtimin, mos e humb mundësinë” e cila vlenë për legalizime në gjithë territorin e Kosovës.

Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi në një konferencë tha se gjithë kjo fushatë është për t’u krijuar kushte dhe mundësi për legalizimin e pronave të gjithë atyre që për një arsye të caktuar nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

“Pas miratimit të ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ne kemi hartuar pesë udhëzime administrative të cilat tash më janë në fuqi e që dalin nga ky ligj dhe që e bëjnë ligjin plotësisht të zbatueshëm. Gjithë kjo punë e bërë ka hapur rrugën për trajtimin e 352 mijë ndërtimeve pa leje”, tha Matoshi.

Në konferencë për çështjet e legalizimit të ndërtimeve pa leje u informuan kryetarët e komunave dhe drejtorët e Departamenteve të Urbanizimit në komuna përkatëse.

Anëtari i Grupit Punues Ndërministror, Servet Spahiu, tha se nga java e ardhshme fillojnë 10 deri në 18 punëtori teknike të cilat do të merren me procesin e legalizimit të ndërtimeve.

“Është një proces shumë i thjeshtë për një shtëpi individuale. Duhen krejt katër dokumente dhe ato janë të thjeshta dhe nuk ka nevojë për ekspertiza, pagesa të projektit. Plus kosto për legalizimin tek shtëpia është një euro për metër katrorë. Për objektet tjera është dy euro ndërsa për kategorinë e tretë është me kosto në bazë të lejes ndërtimore për shkak të specifikave të veta”, tha Spahiu.

Afati i legalizimit të ndërtimeve është dy vjet, me mundësi vazhdimi dy herë nga një vit me aprovim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit