Kosovë, inagurohet segmenti i dytë i autostradës “Arbën Xhaferi”

Mos i humb

Me një ceremoni të organizuar nga Ministria e Infrastrukturës e Republikës së Kosovës, sot u përurua segmenti i dytë i autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila lidh Prishtinën me Shkupin.

Në një njoftim nga Ministria e Infrastrukturës bëhet e ditur se në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtuan Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Presidenti Thaçi, duke iu adresuar të pranishmëve në këtë ceremoni tha se ndihet i kënaqur që sot të gjithë së bashku po marrin pjesë në këtë përurim.

“Sot është një kënaqësi e veçantë dhe e jashtëzakonshme sepse të gjithë së bashku marrim pjesë në përurimin e segmentit të dytë të autostradës Prishtinë – Shkup, një përpjekje kjo e kamotshme e punës së përbashkët. Ky është projekti i Kosovës moderne, projekti i Kosovës evropiane, projekti i ëndrrave që kemi pasur e që po shndërrohen në realitet, andaj urime të gjithëve! Urime Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se e ka për nder që sot të gjithë së bashku ta përurojnë këtë segment të autostradës si një e arritur e madhe për vendin.

“Për mua është nder që të bashkohemi këtu sot për një të arritur, pra për segmentin që e përurojmë sot. Shumë punë, shumë mund, shumë angazhim, shumë ekspertizë për standarde të një infrastrukture euro-atlantike atje ku edhe është drejtimi ynë dhe sot jemi dëshmitarë që kjo po ndodh. Jam thellë i bindur se vitin që vjen do të përmbyllet e tëra kjo autostradë. Jam thellë i bindur se Shkupi do të jetë më afër se kurdoherë tjetër për Prishtinën”, deklaroi Haradinaj.

Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka thënë se me këtë janë zotuar se do t’i shërbejnë vendit duke u lidhur me korridore dhe me shtetet fqinje në këtë mënyrë.

“Të gjitha ato kompani serioze që kanë treguar profesionalizëm do të kenë hapësirë për të punuar në Kosovë. Kosovën e presin edhe shumë punë. Ky është suksesi i dytë pas atij të parit ku para dy ditësh është nënshkruar kontrata për termocentralin ku do të punësohen mbi 10 mijë punëtorë, prandaj ky është suksesi dytë i këtij viti që të gjithë së bashku duhet ti gëzohemi”, tha Leka.

Kjo ceremoni është përmbyllur me prerjen e shiritit nga kampionja olimpike në xhudo Majlinda Kelmendi, duke u lëshuar kështu për qarkullim dhe përdorim të rregullt nga qytetarët e vendit./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit