Kosovë, KFOR-i Turk rinovon klasat e shkollës “Haziz Tola”

Mos i humb

Në Prizren sot u bë përurimi i nëntë klasave të katit të dytë të shkollës fillore “Haziz Tola”, të rinovuara dhe të pajisura nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk).

Në një fjalë rasti, konsullja e përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren, Eylem Altunya, tha se KFOR-i Turk përsëri ka realizuar një projekt me të cilin Turqia është krenare.

“Ky projekt i realizuar nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë besoj se do të ketë një kontribut të rëndësishëm që nxënësit e kësaj shkolle të marrin një arsimim më të mirë në vitin akademik 2018-2019”, tha ajo.

Komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım, tha se ndjejnë një nder të madh për të qenë në Kosovë që nga viti 1999 dhe shprehu se e ardhmja e një shteti mund të garantohet vetëm me një arsimim të mirë.

“Për këtë arsye ndjejmë një krenari dhe nder të madh për realizimin e këtij projekti në këtë shkollë. Shpresojmë se nxënësit e këtyre klasave do të marrin një arsimim në kushte të rehatshme dhe do t’i përvetësojnë më lehtë informacionet”, tha ai.

Drejtori i Arsimit në komunën e Prizrenit, Skender Susuri, tha se nuk mund të ketë një fillim më të mirë për mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle, kur sipas tij falë një donacioni të madh të shtetit turk kjo shkollë ka marrë një fizionomi të shkollave moderne, përkatësisht të shkollave cilësore.

“Më duhet të them publikisht se ky nuk është investim i vetëm i shtetit turk. Shteti turk që nga çlirimi i Kosovës ka bërë investime të mëdha në Kosovë, veçanërisht në komunën e Prizrenit. Ne jemi falënderues dhe mirënjohës dhe shpresojmë në investime tjera në Kosovë”, tha ai.

Ndërkaq edhe drejtori i shkollës, Hilmi Rexha, falënderoi KFOR-in Turk për rinovimin e 9 klasave dhe kompletimin e tyre me inventar bashkëkohor.

Për nder të këtij përurimi nxënësit e kësaj shkolle organizuan një program me vjersha, këngë e valle.

Në kuadër të këtij projekti është bërë lyerja e mureve dhe të tavanit të klasave, rinovimi i dyshemesë, ndërrimi i armaturës, ndërrimi i dyerve, furnizimi me banka dhe karrige, perde si dhe tavolinë dhe karrige të mësimdhënësit. Projekti është financuar nga Republika e Turqisë në kuadër të Projektit të Bashkëpunimit Ushtarak-Civil të KFOR-it Turk./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit