Kosovë, mbahet konferenca “Promovimi i paqes përmes arsimit”

Mos i humb

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës (MASHT) organizoi një konferencë për të shënuar Ditën Botërore të Fëmijëve, e cila këtë vit ka për qëllim të promovojë paqen përmes arsimit.

Në konferencën në fjalë u organizua punëtoria “Qyteti i Paqes”, në të cilën morën pjesë fëmijë të komuniteteve dhe religjioneve të ndryshme nga të gjitha komunat e Kosovës, të cilën e kryeson Ellen Frank.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, theksoi në hapje të konferencës se detyrimi i institucioneve është të sigurojnë arsim cilësor në mënyrë që fëmijët të kenë të ardhme të mirë në Kosovë.

“Përpiqemi që në çdo institucion shkollor të prodhojmë fëmijë të gatshëm për të ardhmen, të jenë njerëz që kuptojnë jetën në vend, të kuptojnë demokracinë, në mënyrë që të jenë përgjegjës për demokracinë, të respektojnë të drejtat e njeriut dhe veçanërisht të drejtat e fëmijëve”, tha Bytyqi.

Kryetari i komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Rini dhe Sport, Ismail Kurteshi, premtoi se deputetët do të ushtrojnë më shumë presion mbi kompetentët që ligjet të zbatohen dhe fëmijëve t’u mundësohen kushte për arsim më të avancuar, duke shtuar: “Që gjatë shkollimit, paralelisht me arsimin të marrin kulturën e cila është e nevojshme për këtë brez të fëmijëve, të cilat nuk duhet të dallojnë nga fëmijët e vendeve më të përparuara në botë “.

Shefja e misionit të IOM-in në Kosovë, Tajma Kurt, theksoi se organizata të cilën e drejton, bashkëpunon nga afër MASHT-in, duke zbatuar shumë aktivitete për zhvillimin e të menduarit kritik të fëmijëve.

Ndërkohë, Brando Co, shef i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, tha se është arritur përparim jo vetëm tek rënia e vdekshmërisë së foshnjave, por edhe në numrin e braktisjes së shkollës.

“Investimi më i mirë që mund të bëhet në një shoqëri është edukimi i fëmijëve. Ky është fillimi më i duhur për fëmijët, prandaj duam të vazhdojmë të mbështesim jo vetëm arsimimin klasik, por edhe atë për njerëzit me aftësi të kufizuara, për të varfërit dhe grupet e diskriminuara”, tha Co.

– Shqipëri, shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Me rastin Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve në Shqipëri u organizua një sërë aktivitetesh, ku kryefjalë ishin fëmijët dhe të drejtat e tyre.

Disa organizata të shoqërisë civile organizuan në Tiranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” një marshim-protestë me sloganin “Jepni llogari për fëmijët” me qëllim sensibilizimin e institucioneve për çështjet dhe problematikat e të drejtave të fëmijëve.

Marshimi u mbajt para selive të Kryeministrisë së Shqipërisë, Kuvendit të Shqipërisë e më pas në ambientet e Presidencës së Shqipërisë, ku aktivistët e shoqërisë civile i dorëzuan Presidentit të vendit, Ilir Meta, një peticion lidhur ne të drejtat e fëmijëve.

Duke folur për mediat, Meta tha: “Është e rëndësishme të organizohemi për të gjithë ata fëmijë që nuk kanë mundësi të festojnë, që ndihen të përjashtuar, që janë të kufizuar në aksesin e edukimit dhe për shumë shërbime të tjera. Unë këtë peticion do ta lexoj me mjaft vëmendje dhe besoj se edhe raporti i fundit i ‘Save the Children’ është një kambanë alarmi për të gjithë institucionet, shoqërinë civile dhe shoqërinë shqiptare”.

Gjithashtu me rastin e 1 Qershorit, Kuvendi i Shqipërisë, ka organizuar një aktivitet me temë “Dita e fëmijëve në Kuvendin e Shqipërisë”, ku fëmijët u ulën në karriget e ministrave dhe deputetëve.
Po ashtu në kuadër të kësaj dite, janë organizuar disa aktivitetesh të tjera, si parada e shkollave, dhe panairi për fëmijët. /Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit