Kosovë, ministrja e Drejtësisë anulon provimin për noterët e rinj

Mos i humb

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një konference për media sot ka bërë të ditur se ka anuluar provimin e kontestuar të noterisë të shpallur më 12 prill të vitit të kaluar nga Ministria (AA).

Ky vendim është marrë sipas ministres Haxhiu ngase procesi i provimit të noterisë organizohet, mbahet dhe përfundon me bazë parimin e ligjshmërisë, objektivitetin e transparencën, gjë të cilin nuk e ka pasur provimi i mbajtur në qershor të vitit 2019, ku së paku 50 kandidatë, të cilët tani po konsiderohen si të afërt me politikën, e kanë kaluar me shkrim këtë provim. 

“Unë si ministre e Drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara një proces të komprometuar. Unë si ministre e Drejtësisë nuk mund të shtyjë përpara një proces i cili është përcjellë me parregullsi dhe me humbje të besimit. Nuk mund të shtyjë përpara një proces nga i cili shumica dërmuese e kandidatëve të cilët kanë kaluar provimin e noterisë, janë militantë partie, anëtarë apo miq të anëtarëve të Komisionit të Provimit të Noterisë apo edhe familjarë të tyre”, tha Haxhiu e cila theksoi se ky proces po hetohet tani edhe nga Prokuroria e Shtetit.

Pika e dytë e këtij vendimit, sipas Haxhiut, precizon që Ministria e Drejtësisë t’ua kthejë paratë kandidatëve që i janë nënshtruar provimit të noterisë.

Përveç kësaj, Haxhiu ka shfuqizuar vendimin e ish-ministrit për emërimin e komisionit për zgjedhjen e noterëve. Anëtarët e këtij komisioni kanë pasur mandat tre-vjeçar.

“Ne kemi shfuqizuar edhe vendimin nr. 127/2019 të datës 14.08.2019 për emërimin e Komisionit për Zgjedhjen e Noterëve. Pra, anëtarët të cilët janë zgjedhur nga ministri i kaluar i Drejtësisë kanë mandat tri vjet, ne e kemi shfuqizuar atë vendim”, tha Haxhiu e cila shtoi se konkursi për zgjedhjen e noterëve të rinj do të shpallet shumë shpejt dhe do të udhëhiqet nga parimi i ligjshmërisë e transparencës.

Që nga shpallja e konkursit e deri te emërimi i noterëve ky proces është përballur me kritika të shumta nga shoqëria civile edhe nga bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë dhënë vërejtje për kriteret jo të drejta të vëna nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës.

Pavarësisht reagimeve të shumta, ish-ministri Abelard Tahiri kishte vazhduar përpara me procesin e emërimit të noterëve të rinj. Më 23 korrik të vitit të kaluar ishte hapur konkurs për 79 pozita të lira për noterë në 35 komuna të Kosovës.

Shoqëria civile ka vlerësuar se pas dhënies së dorëheqjes së ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj nga ky post në korrik të vitit të kaluar, ministri i Drejtësisë në largim, Abelard Tahiri në atë kohë nuk kishte më legjitimitet për ta proceduar tutje emërimin e noterëve të rinj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit