Kosovë, nis procesi i dixhitalizimit të dënimeve të vjetra penale

Mos i humb

Kompania kosovare për konsultim legal (Kosovo Legal Services Company) organizoi ceremoninë inauguruese të nisjes së Procesit të digjitalizimit të të dhënave dhe dënimeve të vjetra penale.

Procesi i digjitalizimit të të dhënave të vjetra penale do të realizohet në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian (BE) Sistemi Kombëtar Qendror i Evidencës Penale (NCCR) në Kosovë i cili ka filluar vitin e kaluar.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi në një fjalë rasti tha se funksionalizimi i sistemit kombëtar qendror të evidencës dhe digjitalizimi i të dhënave penale do t’i shërbejë zbatimit të politikave publike nga institucionet gjyqësore dhe agjentëve të sundimit të ligjit. Me jetësimin e këtij sistemi, Idrizi tha se këta persona do të kenë qasje efikase duke mundësuar shkarkimin efikas të detyrave publike të personave të dënuar.

Ai thekson se për fat të keq në Kosovë nuk ka evidencë qendrore penale dhe mundësia e manipulimit apo keqpërdorimit të çertifikatave të gjendjes penale ekziston ende.

“Do të thotë se nëse një person është dënuar në ndonjë gjykatë për shembull në Pejë, Prizren apo kudo tjetër dhe shpërngulet në Prishtinë aplikon për t’u pajisur me çertifikatë që nuk është i dënuar, lirisht mund ta marrë çertifikatën që nuk është i dënuar dhe atë ta përdorë për nevoja të realizimit të interesave të tij. Me këtë evidencë pamundësohet keqpërdorimi i çertifikatave për persona që janë të dënuar”, tha Idrizi.

Idirizi vuri theksin edhe tek rëndësia e evidencës qendrore penale ku tha se në zgjedhjet e kaluara nga Këshilli Qendror i Zgjedheve kishte kërkuar nga Këshilli Gjyqësor brenda një afati shumë të shkurtër të pajiset me të dhënat e personave të dënuar të cilët ishin kandidatë për zgjedhjet komunale dhe qendrore dhe kryetarë komunash.

Sipas tij, po të kishte Kosova sistemin e evidencës qendrore do të eliminoheshin manipulimet brenda sistemit gjyqësor.

Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Luigi Brusa tha se çdo qytetar në Kosovë duhet ta ketë të drejtën ta demonstrojë pafajësinë në mënyrë të lehtë dhe të shpejtë. Ai tha se ky projekt është shumë i frytshëm meqë edhe Ministria e Drejtësisë do të mund të zbatojë proceset penale në mënyrë efikase në rast se do t’i ketë statistikat.

Duke bërë të ditur se për krijimin dhe zhvillimin e statistikave për t’i vendosur në sistem të gjitha regjistrat e dënimeve penale që nga viti 1999 dhe të cilat janë mbi 250 mijë, Brusa tha se kanë rekrutuar 50 persona për ta plotësuar atë boshllëk në mënyrë transparente.

Kujtojmë se ky projekt do të vazhdojë deri në qershor të vitit 2020 dhe ka një vlerë prej rreth 1.8 milionë eurosh, me fonde shtesë të destinuara për blerjet e TI-së dhe pajisjeve të tjera.

“Ky mjet do t’iu ndihmojë jo vetëm njerëzve të rëndomtë por gjithashtu edhe gjyqtarëve dhe prokurorëve në punën e tyre të përditshme për të verifikuar në mënyrë të shpejtë nëse dikush i cili meriton të jetë i hetuar dhe nuk është person i drejtë apo nëse dikush nuk ka nevojë të hetohet”, tha Brusa./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit