Kosovë, përfaqësuesit politikë diskutojnë për dialogun me Serbinë

Mos i humb

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar tryezë të diskutimit me temë “Dialogu Kosovë-Serbi: Çfarë pas formimit të Qeverisë së re dhe përfshirjes amerikane?”,  (AA).

Në panel të diskutimit kanë marrë pjesë përfaqësues të subjekteve politike ku kanë diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend pas formimit të qeverisë së re, përfshirjen e SHBA-ve në proces, angazhimin e proklamuar nga Bashkimi Evropian (BE), lehtësimin e procesit të normalizimit, si dhe mundësinë e zëvendësimit të tarifës 100 për qind me reciprocitet ndaj Serbisë.

Pjesëtarë të ekzekutivit në këtë tryezë thanë se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti është e përgatitur ndaj sfidave që sjell dialogu me Serbinë, pas heqjes së taksës dhe vendosjes së reciprocitetit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, tha se qeverisja aktuale “pas stërzgjatjes së dialogut me Serbinë, do t’i qaset me seriozitet këtij procesi, duke eleminiuar diskutimin për kufijtë e Kosovës”. Abrashi theksoi atë që kryeministri Kurti e ka thënë para disa ditësh, që taksa do të zëvendësohet me reciprocitetin ekonomik e politik ndaj Serbisë.

“Natyrisht se ne besojmë në marrëveshje dhe ky është edhe synimi, por jo pa dialoguar dhe pa shqyrtar secilën rrethanë dhe secilën situatë, me seriozitetin dhe përgatitjen më të madhe. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk besoj se problemet e komplikuara bëhen me zgjidhje të thjeshta, të menjëhershme ose të përshpejtuara, sepse kjo mund ta komplikojë edhe më shumë tërë procesin. Prandaj, fillmisht palët duhet të ulen në tavolinë, duhet t’i diskutojmë një nga një për detajet. Por ajo që na takon neve është që kërkesat dhe interesat e Kosovës janë të panegociueshme”, tha Abrashi.

Abrashi shtoi se në dialogun dhe marrëveshjen me Serbinë nuk do të ketë harta.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se pasojat e tarifës kanë qenë të mëdha, ndërsa tani tha se heqja e saj do të mundësojë rifillimin e negociatave me Serbinë.

“Po shqyrtojmë mundësinë t’ia bëjmë një kërkesë të drejtpërdrejtë bashkësisë ndërkombëtare. Për t’i dhënë shansë bashkësisë ndërkombëtare që të fasilitoj dialogun e Kosovës me Serbinë. Në anën tjetër ne kemi deklaruar reciprocitetin i cili do të vendoset, por, do të vendoset ashtu që të mos pengojë sërish bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare në veçanti nga SHBA-të”, tha Gashi.

Përfaqësues opozitarë në këtë tryezë deklaruan se LVV-ja dhe LDK-ja “nuk e kanë të qartë se çka nënkupton reciprociteti”.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, tha se reciprociteti është një shmangie për opinionin publik, derisa kërkoj që në dialog të shkohet për njohje reciproke.

“Përderisa nuk ka njohje reciproke nuk do të ketë funksionim të reciprocitetit. Më shumë është një shmangie e përgjegjësisë para opinionit publik në Kosovë. Taksa nuk i është vendosur miqve tanë, në këtë rast aleatëve tanë amerikanë dhe evropianë, por taksa i është vendosur Serbisë. Dhe, arsyeshmëria pse është vendosur ajo taksë është e qartë, sepse Serbia para tri vjetësh ka qenë tepër agresive kur Kosova ka qenë kandidate për anëtarësim në UNESCO dhe sidomos rreth anëtarësimit në INTERPOL”, theksoi Haradinaj.

Haxhi Shala nga grupi parlamentar i NISMA-s paralajmëroj se heqja e tarifës është goditje për Kosovën, derisa kërkoi dokumente të qarta nga dy partitë politike përgjegjëse për fillimin e dialogut.

Javën e kaluar në Konferencën për Siguri në Mynih të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmendi tri parime bazë për një dialog të suksesshëm mes dy vendeve. Ai tha se nuk mund të ketë “marrëveshje pa dialog, nuk mund të ketë dialog me harta dhe nuk mund të ketë dialog me presidentë rreth hartave”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit