Kosovë, publikohet raporti mbi monitorimin e gjykatave gjatë vitit 2018

Mos i humb

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova publikuan sot Raportin Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2018.

Koordinatori i Zyrës Ligjore dhe Monitorimit të Gjykatave në BIRN, Labinot Leposhtica, autor i këtij raporti, tha se Kosova ka shënuar regres, sa i përket rasteve të korrupsionit. Leposhtica tha se gjatë vitit 2018 ka pasur shtim të lëndëve në gjykata, ndërsa ka pasur rënie të dënimit me burg, “më pak njerëz kanë shkuar në burg, më shumë aktakuza janë parashtruar; madje edhe të profilit të lartë”.

“Sa i përket rasteve të korrupsionit, raste këto të cilat kanë qenë në fokus tonin përgjatë vitit 2018. Prej gjetjeve tona të cilat janë të konfirmuara edhe nga numrat që i kemi marrë prej KGJK-së (Këshillit Gjyqësor të Kosovës), rezulton që kemi pasur një regres. Kur po them regres nuk dua të tingëlloj pesimist mirëpo shifrat dhe pastaj edhe rastet individuale na vërtetojnë që kemi pasur mangësi, neglizhenca dhe zvarritje të rasteve”, tha Leposhtica.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezitha se gjatë vitit 2018, Prokuroritë i kanë zgjidhur 75 mijë e 750 lëndë. Ai tha se Kosova ka deklaruar se Prokuroria është e gatshme të përballet me këdo që bie ndesh me ligjin. Për kryeprokurorin e shtetit çelësi kryesor në luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit është konfiskimi i pasurisë së përfituar me vepër penale. Sepse, siç tha ai, vetëm me këtë luftë mund të dobësohen grupet kriminale.

“Sa i përket rasteve të korrupsionit, Prokuroria e Shtetit i ka kryer 412 raste dhe 435 raste të tjera që kanë të bëjnë më krimet financiare dhe me krimet ekonomike. Kështu që, sa i përket efikasitetit kemi qenë më të mirë se në vitin paraprak. Sepse, në vitin paraprak po ashtu i kemi pasur 412 raste të korrupsionit mirëpo rastet e krimeve ekonomike dhe krimeve financiare kanë qenë më pak”, tha Lumezi.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se angazhimi i ministrisë që ai e udhëheq ka qenë në disa fusha, si: asistenca në ngritjen e kapaciteteve me gjyqtarë në gjykata, reforma legjislative në të cilën kanë ngritur shumë çështje përfshirë kodin e procedurës penale.

Tahiri tha se presin që strategjinë nga rishikimi funksional i sundimit të ligjit presin ta kenë më së largu në tetor të vitit 2019.

“Është ritheksuar edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, për disa vite kemi qenë vendi i vetëm në rajon që s’e kemi pasur një strategji ndërsektoriale në sektorin e sundimit të ligjit. Nëse e krahasojmë me vendet e rajonit pra kemi pasur një ngecje të madhe në këtë drejtim realisht. Dhe, që tashmë pas shumë vitesh po e adresojmë dhe siç e thash në fund të tetorit besoj që do ta kemi”, theksoi Tahiri i cili tha se me ligjin e ri pritet që të ketë më shumë efikasitet në konfiskimin e pasurive të fituar me vepër penale.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni ka deklaruar sot se ka ardhur koha që seriozisht t`i trajtojnë gjërat që e preokupojnë sistemin e drejtësisë. Ai tha se ka sekuestrime të pasurisë por nuk ka vendime përfundimtare mbi autorët.

Hyseni tha se duhet t’i shikojnë veprimet e tyre dhe të ndryshojnë diçka. “Shpresojë që së shpejti do të dalim me rekomandimet që i kemi nxjerrë më takimin e fundit që e kemi pas”, shtoi ai.

Ky raport fokus të veçantë ka pasur rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave dhe rastet e korrupsionit të monitoruara gjatë vitit 2018, por gjithashtu trajton problemet e tjera të trashëguara, të vëzhguara gjatë punës së monitoruesve në terren.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit