Kosovë, shqiptohet gjobë 12.000 euro për kolegjin “Mehmet Akif”

Mos i humb

Gjykata Themelore në Prishtinë, duke u bazuar në të gjeturat nga inspektimi i zhvilluar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Republikës së Kosovës, për shkak të shkeljes së privatësisë përmes vëzhgimit me kamera ka shqipuar gjobë prej 12 mijë eurove për kolegjin “Mehmet Akif”, i cili ndodhet në Prishtinë dhe njihet për afërsinë e saj me organizatën terroriste FETO.

Drejtori i Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Jeton Arifi, për AA ka konfirmuar se kanë pranuar aktgjykimin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ku thuhet se gjykata ka shqiptuar gjobën prej 12 mijë eurove.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar gjobën prej 12 mijë eurove ndaj të pandehurit kolegjit `Mehmet Akif` duke u bazuar në të gjeturat tona faktografike, pra fotografive të bëra gjatë inspektimit të zhvilluar në kolegjin ‘Mehmet Akif’ në maj të vitit 2016“, tha Arifi.

Ai më tej theksoi se gjatë inspektimit zyrtarë të Agjencisë, në maj të vitit 2016, kishin konstatuar se ky kolegj kishte instaluar kamera në hapësira të punës, si zyra, mësojtore (klasa mësimi), si dhe hapësira sanitare (tualete të kolegjit).

Ndërkaq në njoftimin e lëshuar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, thuhet se agjencia më datë 5 maj të vitit 2016 ka inicuar fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj kolegjit “Mehmet Akif” në Prishtinë.

Pas inspektimit të zhvilluar, të premten e kaluar, më 9 shkurt të vitit 2018, Divizioni për Kundërvajtje i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shqiptuar gjobën prej 12 mijë euro, siç thuhet në njoftim, për “përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamera në hapësira që nuk lejohet instalimi i kamerave”.

“Vëzhgimi me kamera lejohet vetëm nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pasurisë, edhe atë vetëm në hyrjet e ndërtesave, por jo edhe në hapësirat e brendshme të punës, e aq më pak në hapësirat sanitare, respektivisht tualete”, theksohet në njoftimin e agjencisë.

Ndryshe, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke pasur status të pavarur, ka përgjegjësinë ligjore për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit