Kosovë, takim për programin IPA me vlerë rreth 200 milionë euro

Mos i humb

 

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe Ministria e Integrimit Europian organizuan takimin iniciues për afatet kohore dhe sektorët që do të përkrahen nga programet kombëtare për Kosovën, IPA 2019 dhe IPA 2020, të financuara nga Bashkimi Europian.

Ministrja e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, e cila në cilësinë e koordinatores kombëtare për IPA hapi takimin e parë zyrtar për të iniciuar programet vjetore të fundit para anëtarësimit në BE tha se programi IPA 2 mbulon periudhën financiare shtatë vjeçare 2014-2020.

“Qëllimi ynë është që duke filluar prej tani deri në mesin e vitit të ardhshëm të kryejmë gjithë procesin e programimit të IPA-s për periudhën 2019-2020 që përafërsisht kap shumën rreth 200 milionë euro për këto dy vite”, tha Hoxha, duke theksuar se ky program vjetor 2019-2020 do të jetë përgatitje për fazën e planifikimit për instrumentin e ri të BE-së për periudhën 2021-2027.

Duke theksuar se përfaqësuesit e zyrës së BE-së në Kosovë do të njoftojnë për sektorët që do të financohen dhe kufizimet sa i përket financimit, ministrja Hoxha tha se MIE ka pranuar një numër të propozimeve nga ana e institucioneve të Kosovës.

Hoxha theksoi se nga sot fillon procesi i dialogut në mes BE-së dhe ministrive të Kosovës rreth ideve të mira për mbështetje.

Ndërsa, udhëheqësi I sektorit të bashkëpunimit pranë zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Brusa, tha se në muajin korrik do të aprovohet dokumenti strategjik i Kosovës nga komiteti i IPA-s që nga periudha 2014. Ai tha se që nga kjo periudhë për Kosovën kanë ndarë 600 milionë euro, ku 200 milionë prej këtyre janë të ndara vetëm për periudhën 2019-2020.

Ai ftoi të gjitha ministritë që dëshirojnë të kenë mbështetje nga programi IPA që t’i dërgojnë propozimet e tyre brenda 30 ditëve për sektorët që do të ndihmohen. Duke theksuar se sektorëve që do të përkrahen i është shtuar sektori i mjedisit, Brusa tha se: “Janë dy kapituj për përkrahje që është demokracia dhe sundimi i ligjit ku përkrahim qeverisjen e mirë, të drejtat themelore. Një tjetër përkrahje ka të bëjë me rritjen dhe kompeticionin, mjedisin, ndryshimin klimatik, bujqësinë, energjinë, arsimimin, punësimin dhe politikat sociale”, tha Brusa.

Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) është një instrument financiar i shfrytëzuar nga BE-ja që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE. Ndihma përmes IPA-s ofrohet në pesë komponentë të cilat përfshijnë: përkrahjen gjatë tranzicionit dhe ndërtimin e institucioneve, bashkëpunimin ndërkufitar, zhvillimin rajonal, zhvillimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin rural.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit