Kryemadhi: Drejtësia, vegël e Qeverisë! Rekomandimi i KE-së nuk e shpëton Ramën

Mos i humb

Ndryshe nga Lulzim Basha, që e quajti drejtësi gjysmake vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkodrës për protestuesit kuksianë, mesazhi i Monika Kryemadhit ishte më i ashpër.

“Pabesia dhe frika e Edi Ramës vazhdojnë të mbajnë në mënyrë krejtësisht antiligjore në burg protestuesit kuksianë! Asnjë qytetar që ka protestuar për një taksë arbitrare dhe të padrejtë, nuk mund të penalizohet nga një drejtësi, që sot më shumë se kurrë tregoi qartas se është vegël e qeverisë”, reagoi ajo përmes rrjeteve sociale.

Kryetarja e LSI-së lë të nënkuptohet se as rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave dhe asgjë tjetër nuk e shpëton dot më qeverinë e Edi Ramës.

“Asnjë raport ndërkombëtar, asnjë show në ERTV, apo shfaqje “dashurie publike” për të tërhequr vëmendjen nga zullumet, nuk e shpëton dot Edi Ramën dhe qeverinë e narkotrafikut nga revolta e një populli, që sot më shume se kurrë po provon në kurriz hajdutërinë dhe padrejtësinë”, vijon Kryemadhi.

Më tej një premtim.

“Opozita nuk do të lejojë maskaradën e kryeministrit që po tallet dhe që po luan me jetën e shqiptarëve të pafajshëm, që rëndohen çdo ditë e më shumë nga taksat e oligarkëve dhe burgosen padrejtësisht nga të komanduarit e Edi Ramës. Ne do të jemi në krah të çdo proteste për të liruar kuksianët protestues, që sot janë simboli i qëndresës ndaj arrogancës së pushtetit. Beteja tyre me padrejtësinë është edhe beteja jonë!”, thotë kryetarja e LSI-së.

Në fund, Kryemadhi përjashton skenaret e dhunës.

“Me çdo mjet demokratik do të jemi në mbështetje të kuksianëve, deri në lirimin e çdo protestuesi dhe rishikimin e taksës për Rrugën e Kombit”, zotohet ajo./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit