Kryeministri Haradinaj: Finalja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohja reciproke

Mos i humb

Në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Europiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), me temë Skenarët e “Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi se finalja e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë njohja reciproke.

Kryeministri Haradinaj fillimisht kujtoi masakrat në Kosovë, duke thënë se gjatë gjithë kësaj jave janë kujtuar të vrarët dhe të masakruarit gjatë luftës në Krushë, Celinë, Rezallë, Pastasel, apo edhe në komuna tjera, dhe se askush nuk duhet ta harrojë se Kosova ka ardhur këtu përmes një dhimbje shumë të madhe dhe është Kosova ajo që e ka tejkaluar vetën për t’i dhënë epilog një situate të tillë.

“Nuk është një incident, një ditë, një akt. Janë plagë që janë në zemrën, mendjen dhe në ndjenjat e shumë njerëzve. Kosova dhe institucionet e saj kanë dhënë të gjitha provat për të tejkaluar çdo gjë për të ecur përpara. Atëherë, çfarë ka munguar në këtë proces Kosovë-Serbi për të cilin janë bërë dy dekada dhe nuk po mbyllet? Nuk ka munguar Kosova, sigurt jam”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se në këtë proces kanë munguar ata që janë vendimmarrës.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se energjia e madhe e Uashingtonit që ka ekzistuar për ta ndaluar luftën, tani është deleguar te evropianët, e këta të fundit, siç janë të ngadalshëm e të ndarë, po e ngadalësojnë këtë proces.

Me këtë rast, kryeministri shprehu shqetësimin pse edhe pas dy dekadash çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet e hapur. Ai tha se nuk duhet të na vijë turp për t’ju thënë hapur se nëse nuk kanë kapacitet të kërkojnë ndihmë.

“Nëse Brukseli zyrtar nuk ka kapacitet për ta mbyllur këtë temë le të kërkojë ndihmë, ose nëse nuk dëshiron ndihmë, të na tregojë se çka të bëjmë ne dhe ne shkojmë në drejtimin tonë ashtu sikur kemi ditur ta bëjmë në të kaluarën”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se gjatë kohës sa është në krye të qeverisë ka parë një shpërputhje në energjinë e Brukselit për çështjen e mbetur hapur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në këtë drejtim duhet të ndryshojë diçka.

Sa i përket marrëveshjeve, kryeministri tha se disa nga to janë zbatuar dhe janë disa rezultate reale, por në disa të tjera ka ngecje, siç është me marrëveshjen e energjisë.

“Këtu shihet dobësia e Brukselit zyrtar. Brukseli zyrtar lejon që të ndodhin shumë veprime jo ligjore në fushën e energjisë, përkatësisht në veri dhe rreth Kosovës, në investime, në transmision dhe nuk e ka fuqinë t’i thotë Beogradit se nuk ka të drejtë të bëjë një veprim të tillë. Ne humbim kohë, veprojmë, punojmë dhe në fund duhet të marrim mjete nga buxheti për të mos lejuar të degradojë gjendja më tutje”, tha kryeministri, duke theksuar se ka kërkuar 4 milionë euro nga BE-ja për të mbijetuar ketë situatë edhe për një kohë.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se mosgatishmëria e dikujt për ta marrë rolin nuk do të thotë se e ndalë Kosovën, ngase ka pasur edhe etapa tjera kur vendimmarrësit nuk e kanë pasur këtë gatishmëri, por Kosova ka ecur rrugës së vet.

Duke folur për rrugën e Kosovës në të gjitha proceset, kryeministri Haradinaj tha se Kosova nuk ka kohë të presë pafundësisht dhe shtoi se nuk ka nevojë për shumë kreativitet sepse finalja e këtij procesi duhet të jetë njohja reciproke.

“Finalja është një, është njohja reciproke e cila duhet të ndodhë. Kush e ka guximin, fuqinë apo ndonjë instrument le të ndihmojë. Kush nuk e ka, duhet t’i thotë Kosovës shko rrugës tënde, dhe kur e thotë këtë, atëherë shqiptarët në Ballkan duhet ta pyesin vetën se a mund të ecim kështu si jemi apo çfarë duhet të bëjmë. Pra duhet të vijë një ditë e të na thotë dikush vendosni për vete. Ky është një realitet që duhet ta kuptojmë, sepse kanë kaluar dy dekada, 20 vjet në Europë dhe po na thonë po e vazhdojmë dialogun. Deri kur?!”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se duhet të ketë unitet politik e institucional dhe të gjithë udhëheqësit politik është mirë të jenë pjesë e dialogut.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Albin Kurti, Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Kosovës, Greg Delawie, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, përfaqësues të komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, të korit diplomatik të akredituar në Kosovë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit