“Kuba, derë hyrëse për investitorët turk në Amerikën e Jugut”

Mos i humb

Kuba mund të jetë derë hyrëse për investitorët turq në Amerikën e Jugut dhe të Mesme, tha ambasadori i Kubës në Ankara.

“Kompanitë turke mund të marrin pjesë në zonën speciale zhvillimore ekonomike Mariel që u mundëson atyre disa përfitime, siç janë stimulimet tatimore dhe mundësia e shitjes jo vetëm në tregun e Kubës, por gjithashtu eksportin në shumë shtete latino-amerikane me dogana shumë më të ulëta, bazuar në marrëveshjet rajonale”, tha Luis Alberto Amoros Nunez në një intervistë për Anadolu Agency (AA).

Ai theksoi se sasia e shkëmbimit tregtar është shumë më e ulët se potenciali.

“Ne jemi të kënaqur me rritjen, por nuk jemi të kënaqur me nivelin e saj”, tha Nunez.

“Por ka një çështje që nuk e lejon rritjen e tregtisë mes dy vendeve. Tregtimi i mallrave jo në mënyrë të drejtpërdrejtë por përmes shteteve evropiane është një ndër faktorët prapa saj”, vlerësoi ai.

Ai u bëri thirrje autoriteteve turke dhe kubaneze që të hapin rrugën për tregti të jashtme “të drejtpërdrejtë”.

“Ne duhet të bëjmë tregti me ndërmarrësit, kompanitë dhe afaristët tanë”, tha Nunez.

Sasia e shkëmbimit tregtar mes Turqisë dhe Kubës u rrit për më shumë se 50 për qind në pesë vitet e fundit dhe arriti pothuajse në 44 milionë dollarë vitin e kaluar, duke u bazuar në të dhënat e Institutit Statistikor të Turqisë (TurkStat).

Në vitin 2018, eksportet Turke në Kubë ishin 32,4 milionë dollarë, përderisa importet nga shteti i Karaibeve ishin rreth 11,6 milionë dollarë, tregojnë të dhënat nga TurkStat.

Sipas Ministrisë së Tregtisë, Turqia radhitet e 12-ta në mesin e shteteve ku Kuba ka eksportuar më së shumti dhe e 16-ta në mesin e shteteve importuese.

Prodhimi i Brendshëm Bruto i Kubës në vitin 2017 ishte 96,8 miliardë dollarë.

Të dhënat nga Qendra e Tregtisë Ndërkombëtare thonë se shkëmbimi i jashtëm tregtar i Kubës ishte 7,7 miliardë dollarë vitin e kaluar.

Nunez më tej tha se sektori kimik, bujqësia, përpunimi i ushqimit, ndërtimtaria dhe sektorët industrialë të Turqisë janë tërheqëse për kompanitë nga Kuba për shkak të “cilësisë dhe çmimit”.

Ai shtoi se sektorët e bioteknologjisë dhe turizmit të Kubës kanë potencial të madh për bashkëpunim me investitorët dhe partnerët turq.

“Ne kemi një lloj të ri të ilaçeve, veçanërisht për trajtimin e kancerit dhe diabetit. Ato mund të tregtohen më shumë dhe të prodhohen bashkërisht këtu në Turqi”, tha ai.

Duke folur për kushtetutën e re të miratuar në shkurt, Nunez tha se ajo jo vetëm që do të tërheqë më shumë investitorë të huaj, por gjithashtu do t’u ofrojë atyre më shumë mbrojtje.

Shumica e qytetarëve të Kubës më 24 shkurt i thanë “Po” kushtetutës së re që ruan sistemin socialist njëpartiak dhe mundëson disa ndryshime ekonomike dhe shoqërore.

“Shumë kompani të huaja kanë hapur dhe vazhdojnë të hapin biznese në Kubë, krahas pengesave që paraqiten nga embargoja ekonomike amerikane kundër Kubës dhe ngecjes në lidhjet dypalëshe me administratën e Trump-it, duke përfshirë edhe masat e publikuara kohë më parë nën të ashtuquajturin Akti Helms-Burton”, tha ai.

Nunez shtoi se vendi do të vazhdojë të mbështesë investitorët e huaj dhe të përmbushë premtimet e dhëna.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit