Kufiri SHBA-Meksikë, vijë kufitare e vdekjeve të pandërprera të emigrantëve

Mos i humb

Një nënë dhe tre fëmijë, përfshirë një foshnje, u gjetën të vdekur në tokën federale pranë lumit Rio Grande, që përbën kufirin midis Teksasit (SHBA) dhe Meksikës.

Sherifi i kontit Hidalgo, Eddie Guerra, në Twitter tha se Zyra Federale e Hetimeve (FBI) po merrej me një hetim mbi katër trupat e paidentifikuar të gjetur nga agjentët e Patrullës Kufitare të dielën.

Sipas CBC News, trupat u gjetën shumë afër vendit ku po ndërtohet një pjesë e re e gardhit kufitar që mbështetet nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

– Kufiri i vdekjes

Çdo vit, qindra emigrantë pa dokumente humbin jetën në përpjekje për të kaluar kufirin SHBA-Meksikë.

Sipas iniciativës së organizatave joqeveritare që gjurmojnë vdekjen e emigrantëve anembanë botës, Projektit të Migrantëve të Zhdukur, në vitin 2018 jetën në përpjekje për të kaluar kufirin e humbën 214 burra, 20 gra dhe katër fëmijë.

Megjithatë, eshtrat e mbi 138 personave nuk mund të identifikoheshin për moshën ose gjininë. Numri i saktë mbetet i panjohur, sepse shumë prej thjesht nuk janë gjetur.

“Ata njerëz që humbin jetën në këtë rajon kufitar në përpjekje për të arritur SHBA-të, këtë shpesh e bëjnë për shkak të kushteve ekstreme natyrore me të cilat përballen”, tha grupi në një raport të muajit janar.

Raporti theksoi se shumica e personave me gjasë vdesin nga ekspozimi dhe hipotermia, megjithëse vdekjet që ndodhin në shkretëtirë nuk raportohen.

Besohet se të tjerë janë mbytur po ashtu ndërsa përpiqeshin të kalojnë lumrin Rio Grande.

“Shumica e vdekjeve të regjistruara në kufirin SHBA-Meksikë ndodhin në shkretëtirën e Arizonës, në tre vitet e fundit me gati 500 eshtra njerëzore të zbuluara nga Zyra e ekzaminuesit mjekësor të Kontit Pima”, tha grupi.

Agjencia e migracionit e OKB-së raportoi më pak kalime dhe më shumë vdekje të emigrantëve në vitin 2017.

Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) vitin e kaluar njoftoi se 341.084 emigrantë u kapën në kufirin jugperëndimor të vendit në vitin 2017 kundrejt 611.689 në vitin 2016, një rënie prej rreth 44 për qind.

Megjithatë, 412 vdekje të emigrantëve u raportuan në vitin 2017, ndërsa në vitin 2016 u raportuan 398 vdekje.

– Lufta mbi emigrantët

Trump që nga ardhja në detyrë në vitin 2017 ka goditur migracionin, si atë ligjor edhe atë të paligjshëm, me përpjekjet e tij të përkushtuara për të kufizuar migracionin e padokumentuar nga Amerika Qendrore ku njerëzit ikin nga kushtet e varfërisë dhe dhunës së bandave.

Përpjekjet e Trumpit për të parandaluar migracionin kanë nxitur vazhdimisht polemika, veçanërisht me politikën “zero tolerancë”, e cila fillimisht i ndau fëmijët e emigrantëve nga prindërit e tyre kur u përballën me procedurat e deportimit.

Disa nga përpjekjet e Trumpit janë ballafaquar me pengesa ligjore pas vendimeve gjyqësore të njëpasnjëshme që i konsideronin ato jokushtetuese.

Presidenti meksikan, Manuel Obrador Lopez, ka bashkëpunuar me SHBA-të në adresimin e çështjes së emigrantëve në burimin e saj duke arrestuar emigrantët e Amerikës Qendrore në tokën meksikane në një përpjekje për të shmangur taksat e kërcënuara nga Trump.

Washingtoni paralajmëroi Meksikën kundër dështimit për të demonstruar vendosmërinë politike për të parandaluar rrjedhën e emigrantëve nga Meksika në kufirin e SHBA-ve me ndëshkimin e taksave shtesë të tregtisë për mallrat meksikane.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit