Kur do ta dërgojë Qeveria në Parlament Raportin e Bulliqit?

Mos i humb

Qeveria e Kosovës, të hënën do ta ketë para vetes raportin final të Demarkacionit, me të gjeturat e Komisionit të kryesuar nga Shpejtim Bulliqi dhe anëtarët e tjerë. Vetëm pas kësaj, do të vendoset procedimi tutje i kësaj çështjeje në Parlament, ndonëse nuk thuhet saktë se kur do të nxirret para ligjvënësve. Nga Qeveria, për Express, nuk thonë shumë për këtë situatë, vetëm theksojnë se gjetjet e Demarkacionit do ta përcaktojnë se si do të veprojnë në të ardhmen.

Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë se i gjithë procesi i demarkacionit është i ndërlidhur me raportin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, dhe gjetjet e tij do të vlerësohen pasi të jetë dorëzuar Qeverisë të hënën më 4 nëntor.

Duke mos i komentuar deklaratat e ministrit të Jashtëm malazez, Sërgjan Darmanoviq, i cili mbrëmë dha se shteti i tyre nuk do të pajtohet për arbitrazh, por vetëm rinegociim, pasi marrëveshja të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, Matoshi thotë se çështja e demarkacionit është e para që është adresuar me të ardhur në krye të ekzekutivit Qeveria “Haradinaj”.

“… duke qenë se ishte në pikën zero që nga viti 2014 dhe që prej marrjes së detyrës nga kryeministri Haradinaj ajo ka lëvizur me shpejtësi drejt një zgjidhjeje.

Por gjithnjë duke iu referuar Komisionit shtetëror, gjetjet e tij do të përcaktojnë mënyrën e veprimit në të ardhmen. Kosova ka tërësinë e saj tokësore dhe ajo do të ruhet me çdo kusht”, është shprehur Matoshi për Gazetën Express. Megjithatë, ende nuk dihet nëse Marrëveshja për Demarkacionin do të nxirret në Kuvend këtë vit.

Së fundmi, kryeministri Haradinaj e pranoi se nuk ka shpresa që marrëveshja do ta marrë besimin e deputetëve. Duke folur në një emision televiziv ai tregoi edhe ecurinë që do ta ndërmarrë Qeveria nëse ajo dështon të ratifikohet.

Arbitrazhi ose rinegociimi me Malin e Zi, këto ishin hapat që Haradinaj i paralajmëroi kur foli për shënjimin e kufirit me shtetin fqinj.

Sidoqoftë, ministri malazez tha se vendi i tij nuk e përkrah arbitrazhin, duke qenë se tashmë e ka ratifikuar Marrëveshjen dhe e mbështet atë./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit