Kurti dhe Hoti japin zgjidhje për grevën e mësuesve

Mos i humb

Derisa SBAShK-u ka bërë thirrje që të vazhdojë greva deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, dy udhëheqësit politik opozitarë, Albin Kurti dhe Abdullah Hoti kanë shfaqur edhe pikëpamjet e tyre lidhur me zhvillimet e fundit në vend, në sektorin e arsimit.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, duke u marrë me grevën në arsim, ndër të tjera konstaton se ndërsa “Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta”

Kurti ka thënë se më e vështirë sesa situata ku të dy palët e kanë gabim, është ajo ku të dy palët kanë të drejtë.

“Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, kurse mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta. Paradoksi vjen nga reduktimi i kontekstit. Kundërthënia është e rrejshme, jo pse mësimdhënësit janë edhe prindër ndërkaq edhe prindërit mësojnë fëmijët, por sepse e treta palë është e vërteta: qeveria. Ajo vlerëson shërbëtorët politikë dhe jo shërbyesit publikë. Ajo don të zbusë ca varfërinë e mësimdhënësve që të mos merret me pabarazinë karshi tyre”, ka shkruar Albin Kurti.

Sipas tij, zgjidhja është nëse mësimdhënësit e vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim.

“Ndjeshmëria ndaj varfërisë nuk e zëvendëson ndershmërinë për barazi. E, siç thotë populli ynë, kot mbushen mend ata që janë mbushur haram”, ka shkruar Albin Kurti.

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë Haradinaj për “mashtrime elektorale” teksa ka deklaruar se zgjidhja për kërkesat e sindikalistëve të arsimit për rritje page është e thjeshtë.

Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se PAN-i në zgjedhje kishte kërkuar votat e mësimdhënësve duke u garantuar rritje page, ndërsa tash “me arrogancë u kërkojnë ndërprerjen e grevës”.

“Dikur koalicioni i ‘punëve të mëdha’ kërkonte votat e arsimtarëve, duke iu garantuar 30% rritje të pagave. Tani me arrogancë u kërkojnë ndërprerjen e grevës. Mashtrimet elektorale kanë dalë sheshit. Kërkesat e SBASHK-ut duhet të merren në konsideratë, pasi nuk po kërkojnë rritje të pagës, por trajtim të barabartë në strukturën e pagave në sektorin publik”, ka thënë ai.

Sipas Hotit, zgjidhja e problemit për pagat e mësimdhënësve është e thjeshtë. Këtu ka thënë se qeveria duhet të ulë pagat për vete në mënyrë që të gjejë lehtësisht zgjidhjen.

“Zgjidhja është e thjeshtë:
1. Qeveria të anulojë vendimin për dyfishimin e pagës për vete,
2. Projektligji i pagave të tërhiqet dhe të rishkruhet në konsultim me arsimtarët, mjekët, shërbyesit civil, policinë, zjarrfikësit, doganierët, inspektorët tatimorë, komunat dhe sektorët e tjerë”,
ka shkruar më tej ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit