Kurti kujton Demaçin në 20 vjetorin e hapjes së Zyrës së UÇK-së në Prishtinë

Mos i humb

Adem Demaçi ka qenë dialektik me metodë dhe historik me dije, kështu u shpreh lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në tribunën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje me rastin e 20-vjetorit të hapjes së Zyrës së UÇK në Prishtinë.

Me këtë rast, Kryetari i Lëvizjës Vetëvendosje Albin Kurti, shpalosi historikun dhe rrugëtimin e Zyrës së UÇK-së duke lartësuar kështu kontributin e veprimtarit të shquar Adem Demaçit.

“Gjatë 6 muajve që kemi funksionu së bashku kemi pas punë dhe shumë rrezik, por me bacën Adem në krye ka qenë gjithçka kollaj, e kishim udhëheqës dhe mbrojtës. Bashkë me Milot Cakajn ishim në këshillin organizativ të Universitetit të Prishtinës për organizimin e protestave paqësore dhe iu bashkuam ekipit të bacës Adem në Zyrën e UÇK-së, i cili përveç të tjerash edhe pajiste me leje gazetarët dhe vizitorët ndërkombëtarë që shkonin në zonat e luftës. Kemi pasur komunikim me komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, me Sylejman Selimin, i cili sot padrejtësisht mbahet në burgun e Dubravës dhe besoj që bashkërisht e përshëndesim përzemërsisht dhe i uroj të jetë sa më shpejt në mesin tonë”, tha Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes me nostalgji kujtoj disa momente të veçanta të bashkëpunimit të tij me veprimtarin shqiptar Adem Demaçi.

“Duke iu falënderuar bacës Adem, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk konsiderohej më si ushtri terroriste dhe as ekstremiste dhe këtu kontributi i tij është i çmueshëm. Në ditën kur Demaçi me thirri së bashku me prindin na informoi se çfarë rruge e rrezikshme po me priste nëse do t’iu bashkoheja ekipit të Demaçit. Nuk e kam menduar shumë këtë mundësi dhe iu bashkova menjëherë Zyrës së UÇK-së”, tha Kurti.

Ndryshe, në këtë tribunë folën edhe historianët, Hakif Bajrami e Sylejman Ajeti të cilët e kujtuan veprën dhe kontributin e veprimtarit shqiptar Adem Demaqit.

Në pamundësi për të qenë pjesë e shënimit të 20 vjetorit të Zyrës së UÇK-së, gjenerali Sylejman Selimi me anë të një letër nga burgu i Dubravës ka kujtuar fillet e UÇK-së dhe rolin e zyrës së informimit të UÇK-së si një ndër ngjarjet më të rëndësishme në luftën e Kosovës.

“Në pamundësi që të jem prezent po ju drejtohem më këtë letër nga burgu i Dubravës. Në një kohë luftë, në një kohë të rëndësishme të organizimit të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, një ndër ngjarjet më të rëndësishme ishte hapja e zyrës në Prishtinë dhe kjo nuk mund të ndodhte pa Bacën Adem”, thuhet në letrën e Selimit i cili shtoi me tutje se sa të vështirë e ka pasur që nuk ka mundur të marrë pjesë në varrimin e veprimtarit, Adem Demaçit.

“Hapja dhe funksionimi zyrës përveç se ka pasur rendësi në kryeqytet ajo shpërndau jehon edhe nëpër pjestarët e UÇK-së në zonat e luftës kudo që ndodhen, edhe sot rëndësia e saj mbetet e madhe dhe e njëjtë, e aq më tepër tani që mbanë emrin e Adem Demaçit, ai është vet historia, për mua ishte pikëlluese dhe e dhimbshme sepse nuk mund t’ia hedh një lule mbi varrë, ai mbetet një luftëtar i madh i kombit dhe luftës për liri”, thuhet në letrën e Selimit në 20 vjetorin e hapjes së Zyrës së UÇK-së në Prishtinë./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit