Kurti për PSD-në: Nuk po japin sinjale që janë kombëtarë, të majtë ose luftues të korrupsionit

Mos i humb

 

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një intervistë për gazetën “Zërin” përveç tjerash ka folur edhe për Partinë Socialdemokrate (PSD).

Kurti ka thënë se populli ia dha Vetëvendosjes 32 ulëse në Kuvend, por sipas tij, dikush ua vodhi 12 prej tyre, duke aluduar në deputetët që u larguan nga partia e tij.

I pari i Vetëvendosjes është shprehur i bindur se kjo parti do të dal e para në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që mbahen ato.

Ndërsa, duke folur për partinë e Shpend Ahmetit, Kurti ka thënë se kjo parti ende nuk e ka dëshmuar që janë kombëtarë, të majtë ose luftues të korrupsionit. Madje, sipas tij, PSD-ja edhe në përqindje janë aq pak, saqë edhe po të dyfishohen nuk e kalojnë pragun zgjedhor prej 5%.

Sa jeni të hendikepuar në veprimet opozitare pa ish-bashkëpartiakët tuaj, të cilët së fundi i janë bashkëngjitur PSD-së?

Kurti: Populli na dha 32 mandate për të vepruar sipas një plani të mirëpërcaktuar. Por dikush na i vodhi 12 mandate. Kjo na pengon pak në veprimin tonë, pasi kemi shumë më shumë votues që duhen përfaqësuar, por më pak deputetë që duhet t’i përfaqësojnë. Nga ana tjetër, ata që s’kanë votues thuajse fare kanë 11 deputetë. Ky është absurditet, i cili më shumë sesa që hendikepon Vetëvendosjen, hendikepon rëndë vetë demokracinë.

Në zgjedhjet e fundit keni qenë partia e parë, por në sondazhin e fundit të bërë nga KDI-ja keni dalë partia e tretë. A ju dëmtoi PSD-ja apo a ndikoi ndarja negativisht në elektoratin tuaj?

Kurti: Asnjëra nga këto. Në sondazhet e bëra 6 muaj para zgjedhjeve të qershorit ne po ashtu kemi qenë parti e tretë. Kjo shpjegohet edhe nga fakti se mbi 10% e të anketuarve nuk dëshirojnë të përgjigjen. Shpesh ky hezitim në përgjigje ndodh për shkak se jo pak qytetarë druhen se humbin vendin e punës nëse tregojnë se cilën parti e mbështesin. Dhe ata që druhen se mund ta humbin vendin e punës në administratë publike pse mbështesin një parti shpesh janë mbështetës të Lëvizjes. Fenomeni tjetër i cili nuk rezulton në sondazh është edhe mërgata, që na i sjell neve edhe dy ose tre deputetë më shumë. E, në fund, është normale që komunikimi politik të shpeshtohet në periudhën e fundit para zgjedhjeve në muajt e fushatës. Dhe pikërisht në atë periudhë ne vazhdimisht shënojmë rritje edhe në sondazhe, kjo edhe për shkak se kemi program të drejtë, të thellë e progresiv, strategji të mirë, moderne e të sinqertë komunikimi dhe se jemi më shpesh në terren sesa në medie ose në reklama. Pra, nuk shoh të na ketë dëmtuar kush. Jemi të gatshëm për zgjedhje, do të dalim të parët, do të dalim edhe më mirë se në qershor 2017.

A do të bëni koalicion me partinë e ish-nënkryetarit tuaj, Shpend Ahmeti?

Kurti: Deri më tani nuk duket e nevojshme. Ende nuk po japin sinjale që janë kombëtarë, të majtë ose luftues të korrupsionit, përkundrazi. Dhe në përqindje janë aq pak: edhe po të dyfishohen nuk e kalojnë pragun prej 5%. U kanë shkaktuar zhgënjim të madh votuesve dhe anëtarëve tanë me sjelljet e tyre dhe me braktisjen e idealit të përbashkët, por dëmin më të madh ia kanë bërë vetvetes. Ka humbur shpresa e njerëzve në ta e për ta.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit