Kurti: Samiti i Sofjes duhet ta mbështesë Kosovën pa dilema për integrim në BE

Mos i humb

 

 

Kryetari  i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në Ditën e Evropës, 9 Majin, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se paqja antifashiste është themeli i Evropës së Bashkuar.

Për më teprër , Kurti duke folur për integrimin e Ballkanit Perëndimorë,  ka  shkruar se shtetet e BE-së që janë kundër kësaj, janë në kundërthënie me veten.

Kurti me këtë rast ka vënë theksin edhe tek  Samiti i Sofjes, derisa kërkon mbështetjen e Kosovës për pjesëmarrje në këtë evendt të rëndësishëm  dhe se siç shkruan ai Kosova duhet të mbështetet për integrim në BE

Kreu i VV-së, ka thënë se në këtë samit Kosova duhet tu tregojë partnerëve evropianë për të gjitha obstruksionet e Serbisë.

“Samiti i Sofjes duhet ta mbështesë Kosovën pa dilema për integrim në BE, kurse Kosova duhet t’i japë prioritet demokracisë e punësimit dhe luftimit të krimit e korrupsionit me rezultate konkrete. Në Samitin e Sofjes, Kosova duhet t’ua bëjë të qartë partnerëve evropianë për të gjitha obstruksionet e Serbisë. Dhe, Kosova nuk bën të shihet vetëm nga prizmi i dialogut Beograd-Prishtinë”, ka shkruar Kurti

Postimi i plotë i Kurtit:

Dita e Evropës

68 vjet më parë, ministri i jashtëm i Francës, Robert Schuman, në fjalimin e tij që do të bëhet i famshëm si Deklarata Schuman tha se “Evropa nuk do të bëhet e tërë përnjëherë, as sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes të arriturave konkrete të cilat fillimisht krijojnë një de facto solidaritet.” Ende pa u bërë dy vjet, u pat nënshkruar Traktati i Parisit që formoi Komunitetin Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut. Asisoj, industria e luftës do të pamundësohej në truallin e Evropës së dërrmuar nga dy luftërat botërore. Pra, në zanafillën e tij Bashkimi Evropian i sotëm është ekonomi për paqe.

Por, jo çfarëdo paqe. 9 maji i vitit 1950 nuk u përzgjodh rastësisht. Atëbotë po shënohej pesëvjetori i ngadhënjimit mbi nazizmin dhe fashizmin. Paqja në Evropë është paqe antifashiste dhe nëpërmjet antifashizmit. Në kontrast me Marrëveshjen e München-it të 29 e 30 shtatorit 1938, kur u nënshkrua paqja me Hitlerin të cilit iu lejua aneksimi i territoreve të Çekosllovakisë. Ish kryeministri britanik Neville Chamberlaine tha se kjo marrëveshje ishte ‘paqe për kohën tonë’. Ajo kohë sikurse edhe e Chamberlaine-it në krye të qeverisë nuk zgjati shumë. Paqja me fashizmin solli Luftën e Dytë Botërore dhe ndarjen e Evropës. Paqja antifashiste është themeli i Evropës së Bashkuar.

Pas një jave fillon Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje të Bullgarisë. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet fqinjësore janë esenciale për ardhmërinë. Greqia së fundmi ka treguar vullnet për marrëdhënie më të mira në Ballkan gjatë vizitës së Presidentit Juncker. Shqipëria është përplot shpresë të arsyeshme që do t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në qershor të këtij viti. Italia ka luajtur rol të fuqishëm për Shqipërinë dhe gjatë vizitës së fundit në Kosovë, Presidentja e Senatit Casellati, shprehu interesim të ripërtërirë për vendin tonë. Samiti i Sofjes duhet ta mbështesë Kosovën pa dilema për integrim në BE, kurse Kosova duhet t’i japë prioritet demokracisë e punësimit dhe luftimit të krimit e korrupsionit me rezultate konkrete.

Në Samitin e Sofjes, Kosova duhet t’ua bëjë të qartë partnerëve evropianë për të gjitha obstruksionet e Serbisë. Dhe, Kosova nuk bën të shihet vetëm nga prizmi i dialogut Beograd-Prishtinë. Në Ballkan nuk ka as Schuman as Adenauer. Por, Kosova ka mbështetje ndërkombëtare dhe ajo duhet ta mirëpërdorë atë. Shtetet anëtare të BE-së që nuk duan që BE-ja të hapet ndaj Ballkanit janë në kundërthënie me vetveten. Ballkani është Evropë. Prandaj, nuk është çështje zgjerimi por thellimi i njohjes dhe bashkëpunimit. Zgjerimi tashmë është bërë nga historia. Qeveritë dhe liderët janë aty vetëm për t’i bërë shoqëri historisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit