Kurti: Shteti i Kosovës nuk e ndihmoi Bekim Lumin për trajtim shëndetësor

Mos i humb

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e regjisorit Bekim Lumi, dhe njëkohësisht kritikoi liderët e institucioneve që nuk e kanë ndihmuar për trajtim mjekësor ashtu siç kanë vepruar edhe me qindra qytetarë të tjerë.

Kurti përmes rrjetit të tij social në facebook, ka vlerësuar lartë jetën dhe punën artistike të Lumit, duke thënë se ai ishte njeri që e donte punën nuk ndalej asnjëherë deri tek arritja e suksesit dhe se Kosova ka humbur një mendje të shkëlqyer që tashmë nuk është në mes nesh.

Ky është postimi i plotë i Albin Kurtit:

Vdekja në moshë të re e regjisorit të talentuar dhe profesorit të Universitetit të Prishtinës, Bekim Lumit, i lë të gjithë dashamirësit e teatrit të pikëlluar. Bekim Lumi megjithatë jetoi mjaftueshëm sa për të vënë në skenë, të përshtatura me stilin e vet tejet origjinal, dramat e Ionésco-s, Chekhov-it, Shakespeare-it, Koltés-it, Mrožek-ut etj. por edhe dramatizime të frymëzuara nga tekste të Lorca-s, Fishtës etj.

Imagjinativ me tekstin, rigoroz me rolet, punëtor me aktorët, kreativ për lojën e tyre. Bekim Lumi nuk pranonte më pak se përsosurinë e përfytyruar dhe nuk ndalej as shkurtimisht te suksesi i arritur.

Në fund të jetës së vet, tashmë i sëmurë prej një sëmundjeje të rëndë, shteti i Kosovës nuk qe në gjendje t’i ndihmonte, ashtu siç nuk i ndihmon dot qindra qytetarëve të tjerë, për të paguar kurimin e shtrenjtë. Por ai nuk u thye, dhe në formë testamenti artistik, politik e qytetar, vuri në skenë veprën e njohur të Bertolt Brecht-it, “Arturo Ui”: historia e ardhjes në pushtet të një diktatori, me ndihmën e mafisë, përmes dhunës, por sidomos përmes servilizmit të burokratëve e përmes apatisë dhe frikës së njerëzve të zakonshëm.

Në këto momente dëshirojmë të ngushëllojmë familjarët, kolegët, studentët dhe dashamirët e artit e të jetës së Bekim Lumit. Një mendje e shkëlqyer nuk është më mes nesh./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit