Kush ishte me Kosovën e kush me Serbinë, në Këshillin e Sigurimit në OKB

Mos i humb

Këshilli i Sigurimit në OKB mbajti mbrëmë një mbledhje urgjente për Kosovën.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë shfaqn mbështetje për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të armatosur, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në OKB.

Por, shtete të tjera kishin mendime të ndara në qëndrimet e tyre. Ambasadori i Rusisë, Vasilij Nebenzja ka përsëritur brengën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dënoi formimin e ushtrisë së Kosovës duke thënë se paraqet shkelje të Rezolutës 1244, raportojnë mediat serbe.

Përfaqësuesi i Kinës ka thënë se Kina respekton sovranitetin territorial dhe integritetin e Serbisë dhe përshëndet përpjekjet e Beogradit për të gjetur një zgjidhje politike me Prishtinën.

Në të njëjtën mbledhje, ambasadorët e Holandës dhe Francës kanë përsëritur se mbështesin pavarësinë e Kosovës. Përfaqësuesi i Francës megjithatë shtoi se formimi i ushtrisë së Kosovës u bë në një moment jo të mirë marrë parasysh dialogun me Beogradin.

Po ashtu, ai bëri thirrje që Prishtina ta heq taksën ndaj mallrave serbe. Të njëjtin qëndrim e ndau edhe përfaqësuesi i Holandës i cili theksoi se vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës vjen në një moment të papërshtatshëm andaj të dyja palët duhet të shfaqen të përmbajtura dhe t’i shmangen enceseve të mundshme, përcjell lajmi.net.

Përfaqësuesi i Perusë ka thënë se mbështet procesin e normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, për stabilitetin në Ballkan. Peruja beson se formimi i ushtrisë së Kosovës nuk është në përputhje me Rezolutën 1244 dhe marrëveshjen e Brukselit.

Përfaqësuesi i Etiopisë ka thënë se qëndrimi i tyre është i pandryshueshëm: “Fuqishëm e mbështesin integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë duke kërkuar zgjidhje të qetë të gjitha temave në përputhje me dokumentet ekzistuese”. Kazakistani u paraqit i brengosur për formimin e ushtrisë së Kosovës, theksoi përfaqësuesi i tyre në Këshillin e Sigurimit në OKB. “Masat e njëanshme e cenojnë paqen”, theksoi ambasadori i Kazakistanit.

Përfaqësuesi i Guinesë Ekuatoriale u shpreh në favor të vazhdimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës dhe mbështeti Rezolutën 1244. Përfaqësuesi i Bolivisë ka bërë thirrje për respektimin e Rezolutës 1244 dhe integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë. Përfaqësuesi i Bregut të Fildishtë ka thënë se formimi i ushtrisë së Kosovës paraqet kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe u bëri thirrje të dyja palëve të përmbahen nga veprimet e ngutshme në mënyrë që mos ta kërcënojnë stabilitetin në rajon.

Përfaqësuesi i Polonisë, shtet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka theksuar se transformimi i Forcave të Sigurisë në ushtri është çështje e Kosovës dhe se forcat e ardhshme të armatosura duhet të formohen në përputhje me Kushtetutën dhe me procesin e tanishëm.

Përfaqësuesi i Kuvajtit, shtet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, beson se vendimet nga Parlamenti i Kosovës paraqesin të drejtë dhe se Kosova mund ta formojë ushtrinë në përputhje me Kushtetutën.

Megjithatë, ai ka pranuar se vendimet mund të paraqesin shqetësime për Serbinë, transmeton lajmi.net. Kuvajti nuk i sheh vendimet në kundërshtim me Rezolutën 1244. Ai bëri thirrje për dialog që sipas tij është mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve mes Beogradit dhe Prishtinës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit