“Kuvendi i Shqipërisë mbështetje për të drejtat e fëmijëve në media”

Mos i humb

Në Kuvendin e Shqipërisë sot u zhvillua tryeza e diskutimit me temë: “Fëmijët në median audiovizive”, me fokus diskutimet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Aktiviteti i u organizua nën kujdesin zëvendëskryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi dhe Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive të Shqipërisë (AMA).

Në fjalën e saj, Hysi tha se kjo tryezë synon të adresojë rekomandimet e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me të drejtat e fëmijëve.

“Peshën kryesore e ka AMA dhe Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Në emër të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Grupit të Deputetëve ‘Miqtë e Fëmijëve’ ju garantoj se do të keni mbështetjen e Kuvendit, kryetarit të Kuvendit, dhe çdo deputeti për të adresuar më mirë të drejtat e fëmijëve në mediat audiovizive”, u shpreh Hysi.

Sipas saj, këtë vit AMA do të përqendrohet më shumë në përmbajtjen e problematikave që kanë kategoritë e veçanta dhe në mënyrë të veçantë fëmijët.

Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Sala, tha se gjatë 5 viteve të fundit është bërë një përpjekje e madhe nga AMA për problemet sensitive të dixhitalizimit, sipas tij, duke e pasur çështjen e fëmijëve prioritet.

“Mbikëqyrja për këtë temë sensitive ka ardhur duke u shtuar. Sidomos gjatë dy viteve të fundit çështjet programore kanë vendosur fokusin kryesor të punës së autoritetit. Momenti kulmor është fillimi i vitit 2019, ku bordi i mediave audovizive çështjen e mbrojtjes së fëmijëve e ka një nga 5 prioritetet e punës së tij. Ja ka lënë detyrë administratës që të ndjekë me prioritet këtë çështje kaq sensitive”, u shpreh Salaj.

Sipas Salajt, operatorët privatë kanë impaktin më të madh në publik lidhur me çështjen e mbrojtjes së fëmijëve dhe se vitet e fundit ka pasur përmirësim të ndjeshëm.

“Gjatë dy viteve të fundit ka pasur më shumë se 40 raste të tërheqjes së vëmendjes ndaj operatorëve privatë, kryesisht ato kombëtar dhe rajonal. Vërej një ndryshim të jashtëzakonshëm në dy tre viteve të fundit të këtyre operatorëve privatë në trajtimin e çështjes së fëmijëve. Kjo nuk ka ardhur vetëm si punë e autoritetit, por kemi mundur të krijojmë një grup shumë të mirë organizatash publike dhe private, të cilat kanë në fokus mbrojtjen e çështjes së fëmijëve”, theksoi Salaj.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të institucioneve që kanë në fokus mbrojtjen e fëmijëve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit