LDK: Mund të kërkojmë përsëritje të zgjedhjeve në Prishtinë!

Mos i humb

Zgjedhjet në Prishtinë mund të përsëriten. Një mundësi të tillë e lë të hapur Lidhja Demokratike e Kosovës. Fillimisht, kjo parti do të kërkojë rinumërim në kryeqytet, ku kishte kandidat Arban Abrashin.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, nuk e ka përjashtuar mundësinë e një rivotimi në Prishtinë.

Ai ka thënë në një intervistë për Gazetën Express se kjo parti ka dyshime për parregullsi në balotazhin e 19 nëntorit, kështu që nëse një rinumërim i mundshëm do të dëshmonte këtë, do të kërkohet rivotim në kryeqytet.

Ai përmend një sërë arsyesh të cilat, sipas tij, tregojnë për një proces të parregullt zgjedhor.

“Jemi duke i grumbullu të gjitha procesverbalet, duke i pa të gjitha gabimet eventuale kemi dyshimet tona edhe sa u përket votimeve të pavlefshme dhe sa u përket fletëvotimeve që janë të zbrazura pa kurrëfarë shenje. Janë mbi 400 sosh dhe natyrisht njerëzit nuk dalin në proces zgjedhor e me dorëzu fletëvotimin e zbrazur”, ka thënë Haziri.

Haziri, i cili të dielën u rizgjodh kryetar i Gjilanit, thotë se nuk shkoi në rregull i gjithë procesi zgjedhor po këtë ditë në kryeqytet.

“Ajo është pjesë e procesit zgjedhor si parti politike por ajo që na e shohim më shumë të nevojshme është me konstatu rregullshmërinë e procesit, sa i përket votave dhe rinumërimi është një nga ato që mundet të na bind se gjithçka ka qenë në rregull’, tha Haziri.

“Edhe rivotim edhe rinumërim në fazën e parë nëse faktohet kjo edhe rivotim për Prishtinën si proces i cili legjitimon kryetarin e komunës. Jemi duke i parë detajet në mënyrë që me konstatu definitivisht se cila është rruga e rinumërimit apo e eventualisht rivotimit që LDK-ja mund ta kërkon”, theksoi Haziri.

Ndërkohë, ai mendon se fitues moral në Prishtinë është Arban Abrashi. Thekson se ish-ministri Punës dhe Mirëqenies Sociale, doli fitimtar kundër një koalicioni të VV-së me AKR-në.

“Arbani është fitues moral. Ai ka fituar karshi koalicionit Vetëvendosje edhe Pacollit. Arbani duhet me durim me prit rezultatin edhe me fitu legjitimitetin e fituesit të këtyre zgjedhjeve në Prishtinë”, tha Haziri.

Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje aktualisht ka 41 mijë e 401 vota, kurse Arban Abrashi i Lidhjes Demokratike të Kosovës 41 mijë e 164 sosh.

Rezultati përfundimtar mund të ndryshojë, teksa kanë mbetur edhe 1 mijë e 800 vota me kusht pa u numëruar./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit