“Legjislacioni në Kosovë mundëson gjykimin e krimeve të luftës”

Mos i humb

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) ka mbajtur diskutim me temën “Gjykimi i krimeve të luftës në kohë krize: Zhvillimet e fundit lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Tribunali i propozuar për Krime Lufte në Kosovë”.

Arbëresha Loxha nga GSJP, tha se legjislacioni aktual në Kosovë mundëson gjykimin e krimeve të luftës dhe se ka mekanizma të mundshëm për një gjë të tillë.
Ajo tha se çështja e krijimit të Tribunalit Ndërkombëtar duhet të mbahet larg diskutimeve politike ditore dhe agjendave politike dhe të mos shfrytëzohet për poena politikë. “Dështimi ose barra për dështimin ose mos gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë ne konsiderojmë se bie mbi Prokurorin e Shtetit, Misionin e UNMIK-ut, EULEX-it, dhe aktOrë tjerë si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë”, tha Loxha.
Sipas saj ky proces ka tre faza; realizimi me sukses i dokumentimit të krimeve, faza e hetimit dhe faza e gjykimit.
Profesori i të Drejtës Penale, Avni Puka, tha se Gjykata Speciale që bazën e ka te Raporti i Dik Martit është sukses i Serbisë dhe dështim i Kosovës. Ai tha se Tribunali Ndërkombëtar për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë është i mundshëm.
“Pjesa e parë e mbledhjes së të dhënave, e dokumentimit të krimeve të luftës i takon ekskluzivisht shtetit të Kosovës që ta bëjë. Sa është i mundur Tribunali… s’mund të thotë askush që nuk është i mundur, por s’mund të bëhet në këtë moment. Nuk besoj që e ka menduar dikush që Tribunali Ndërkombëtar mund të iniciohet nga institucionet e Republikës së Kosovës, është e qartë se një kompetencë të tillë nuk e kemi”, tha Puka, i cili shtoi se në këtë pike mund të arrihet pas pesë vitesh, me vullnet të lartë politik.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila njëherësh është edhe kryesuese e Komisionit për Legjislacion, tha se Gjykata Speciale po bën eksperiment me kosovarët dhe se padrejtësisht ajo po merret vetëm shqiptarët, ndërsa me serbët jo.

Sipas saj, iniciativa e krijimit të Tribunalit Ndërkombëtar për krimet serbe të kryera në Kosovë është i pamundur, pasi që Kosova nuk ka të drejtë ta bëj një gjë të tillë. Haxhiu tha se me këtë iniciativë po luhet me ndjenjat e qytetarëve, ndërsa shtoi se është koha që Kosova t’i trajtojë vetë krimet e luftës, sepse askush nuk mund ta bëj më mirë.

Kuvendi i Kosovës i hapi rrugë procedurave për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar në maj të këtij viti, duke miratuar me shumicë votash “rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit