Aeroporti Ndërkombëtar Mitiga në kryeqytetin libian Tripoli ndërpreu fluturimet pas një sulmi të fundit me raketa nga ana e forcave të komandantit renegat Khalifa Haftar, (AA).
Administrata e aeroportit njoftoi në faqen e saj në Facebook se sulmi në Tripoli shkaktoi panik te udhëtarët ashtu edhe anëtarët e stafit.
Mustafa Al-Mujie, zëdhënës i operacionit “Burkan al-Ghadab”, një fushatë ushtarake e nisur nga forcat qeveritare, konfirmoi për AA se milicitë e lidhura me Haftarin kanë shkrepur raketa.
Ai shtoi se granatimet nga forcat besnike të Haftarit në zonën Al-Hadaba lanë të vrarë një grua, kurse shumë të tjerë u plagosën.
Sulmi erdhi një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që kërkon armëpushim të qëndrueshëm në Libi.
Rezoluta gjithashtu parasheh një mision monitorimi në Libi dhe u kërkon shteteve të ndalojnë dërgimin e armëve.
Forcat e Haftarit me bazë në Libinë lindore filluan një fushatë ushtarake në prill për të kapur Tripolin nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e njohur ndërkombëtarisht, por deri më tani nuk kanë arritur të përparojnë përtej periferisë së qytetit.
Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilën është i lidhur edhe gjenerali puçist Haftar, dhe një tjetër në Tripoli, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare atë të OKB-së.