Libri “Për të nesërmen e ndritur”

Mos i humb

Për të nesërmen e ndritur Autori: Avni Tafili Korrektura gjuhësore: Brunilda Tafili Përgatiti për shtyp: Bashkim Avdiu F ormati: A5 Faqe: 151 Botues: Fondacioni i Rinisë Islame – Cyrih Parathënie Njeriu mundet. Mundet ta ndryshojë gjendjen e vet. Por, i mungon vullneti. Vullnet, të dish dhe të duash. Ndoshta nuk di të ndryshojë. Ndoshta edhe nuk do! Edhe mund të ketë frikë nga ndryshimi. Ka njerëz që janë pajtuar me përditshmërinë e tyre. Me mjerimin, plogështinë. Rrinë të mbyllur në vetvete. Bëjnë një jetë të zymtë. Të pakuptimtë. Mund të jetë edhe arsyeja e pavetëdijes. Por mund të jetë edhe shkaku i shtypjes! Shoqëria jonë është e shtypur. E shtypur nga të gjitha anët. Njerëzit nuk janë të qetë të mendojnë për të nesërmen e tyre, sepse i ka shtypur një rrotë e rëndë. Ajo as nuk pëlcet e as nuk kalon kurrizin e tyre. Pesha e saj as nuk mund të shtyhet, e as mbi kurriz të mbahet. Ashtu, i ngecur nën të, çfarë mund të bëjë i mjeri. Prapë, i mjeri! Jo nuk është i mjerë, por nuk beson! Është mohues i fuqisë dhe aftësisë që Zoti ia dhuroi. Ai pajtohet me rrotën mbi kurriz. Madje ka filluar t’i bindet ngjyrës dhe aromës. Ajo i është bërë strehë. Shtëpi e tij. Zgjohet në mëngjes, përshëndetet me të, shoqërohet me të, diskuton me të, ha dhe pi me të, ashtu në mesditë, ashtu edhe në mbrëmje. Nuk i shkon në mendje se mundet t’i thotë: Hiqmu qafe, ose të hoqa qafe! Jo pa lot e pa djersë! Ndoshta edhe i pëlqen dhuna e padrejtësia. Kushedi, ndoshta edhe është brumosur të bëjë jetë nën trysni e nën mashtrim. I brumosur, i mësuar. I gdhendur që të jetë shërbyes i rrotës! Ti që mbi kurriz ke një rrotë të rëndë, po e mbyt vetveten. Po e shtyp qenien tënde me duart e tua. Mos e kërko dhunuesin, as të padrejtin, sepse ti je ai që kundër vetes po ushtron dhunë e padrejtësi. Ti je duke e shtypur atë! Eja, zgjohu, mblidhe dhe kape veten, ndrysho! Ndryshoje gjuhën e të folurës, të mendimit, të përshtypjes. Mos e prano dobësinë. Mos e prano përçmimin. Mos e prano injorancën. Mos lejo të tjerët të shkelin mbi ty, e ti i shtangur rri. Mos lejo të tjerët të zbrazin forcat tua mendore, shpirtërore e morale. Ke mundësi për të nesërme ndryshe. Për të nesërme me të ardhme të ndritur. Ti mundesh, zbuloje këtë! Ti që kur ke lindur, linde me aftësi e mundësi. Je i veçantë nga çdo njeri tjetër, vetëm se këtë gjë duhet t’ia dëshmosh vetes. Bëje me angazhim! Beso në fuqitë tua! Mos iu mbështet njerëzve! Bashkëpuno me ta! Por, parësore, përpiqu me vetveten! Lëviz, medito. Të jesh i sigurt se, asnjë njeri nuk mund të rrëmbejë atë që ke brenda vetes. Nuk të rrëmbejnë dot dëshirat dhe ëndrrat tua. As vizionin tënd. Ti mund të kesh një jetë më të lumtur, më të qetë, përplot suksese. Mos u pajto me dështimin, vazhdoje rrugën. Mos u pajto me dëshpërimin, përballu kundër tij. Mos u pajto me sëmundjen, luftoje atë. Ti me veten tënde zgjidhi çështjet e tua. Mos prit nga të tjerët. Ti je çelësi i vetvetes. Ti mund ta shfrytëzosh tokën tënde; fuqinë e mendjes, të emocioneve, të moralit. Ti je ai që ke në duar të nesërmen tënde. Atë mos ia beso njerëzve. Jemi në një kohë të vështirë. Mungesa e besimit dhe mirëkuptimit. Përhapja e hipokrizisë dhe injorancës. Mjaftohu të jesh dëshmitar i vetvetes! Mjaftohu të mbash në duart tua veten tënde. Mbill me duart tua. Hape zemrën ndaj fjalës së dobishme, të urtë e të bukur. Mbylle zemrën ndaj të kotës. Ruaje veten nga e pavërteta, gënjeshtra e mashtrimi. Edhe pse mund të duket e bukur një fjalë, sjellje a veprim, megjithatë, ti njëherë gjykoje me drejtësi. Drejtësinë mbështete në argumente të qarta. Me arsye të shëndoshë. Mos lejo ndaj teje të ushtrohet dhunë. Ruaje paqen dhe mbroje atë! Përpiqu me një përpjekje të denjë për të nesërme të ndritur! Për më shumë: Adresa: Fondacioni i Rinisë Islame Seebacherstrasse 67, 8052 Cyrih Zvicër Tel +41 (0) 43 300 16 70 Mobile +41 (0) 79 469 50 36 www.islamischen.ch porositeni duke klikuar ketu:

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit