Ligji për Qeverinë, analistë në Kosovë: ja si duhen “krasitur” ministritë dhe zv.ministrat

Mos i humb

Nga Blendi Gashi

 E gjendur nën kritika të vazhdueshme jo veç nga opozitarët e shoqëria civile por edhe nga ndërkombëtarët për numrin enorm të ministrave e zv.ministrave, qeveria e Kosovës ditë më parë miratoi formimin e Komisionit për hartimin e projektligjit për qeverinë.

Me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhje tha se Ligji për qeverinë do të caktojë numrin e ministrave dhe ministrive që nga qeveria e ardhshme, edhe pse nuk tregoi sa do jetë numri.

Përmes këtij ligji Haradinaj tha se do t’i dërgohet një porosi e mirë te BE-ja, se gjendja e qeverisë dhe mënyra e ndërtimit të saj nuk është eksperiment i pakufi.

Ndërsa zv.kryeministri Enver Hoxhaj kërkoi studim të mirëfilltë që ligji për qeverinë të jetë funksional.

“Paraprakisht duhet te kemi një studim të mirëfilltë, edhe të administratës, cila ministri me cilën mund të bashkohet, e gjana të tilla që ta bëjmë ligjin sa më funksional”, tha Hoxhaj.

Kurse Mahir Jagxhilar, ministri i Administratës Publike, kërkoi që Ligji për Qeverinë të mos merret vetëm me numrat, për çka tha se duhet të ketë fleksibilitet, por me rregulla të qarta.

Ndërsa qeveritarët nuk treguan se sa synohet të ulet numri i ministrive, analistët politikë thonë se nuk duhet të shkojë më shumë se 13, ndërsa kërkojnë që ndjeshëm të ulet edhe numri i zv.ministrave.

Politologu Mentor Tahiri thotë se në shtetet ku në kuadër të arkitekturës ligjore ekziston një ligj për qeverinë, rëndom përcaktohet numri i ministrive si dhe emërtimi i tyre i saktë.

Duke marrë parasysh këtë, një ligj për qeverinë në Kosovë, thotë se do të duhej të kishte parasysh edhe specifikat demografike dhe ekonomiko-politike të Kosovës.

Kosova në asnjë rrethanë nuk do të duhej të kishte mbi 10 deri në 12 ministra, kurse asnjë ministër nuk do të duhej të kishte në dispozicion mbi një zëvendësministër. Gjithashtu, nuk ka kurrfarë kuptimi që qeveria të ketë më shumë se dy zëvendës kryeministra. Jemi dëshmitarë se si në kuadër të pazareve partiake, gjatë formimit të koalicionit të fundit qeverisës janë formuar edhe ministri të reja, krejtësisht të panevojshme, të cilat si të tilla kanë mundur të jenë sektorë në kuadër të ministrive aktuale. Ka një lloj dublifikimi të kompetencave të ministrive pavarësisht faktit se kjo është kamufluar në përshkrimin e veprimtarive të tyre”, thotë Tahiri për tesheshi.com.

Shemsi Jashari, nga organizata “Demokracia Fillon Këtu”, njëherit njohës i rrethanave politike, thotë se deri më tani secila qeveri qëllimisht nuk ka dashur të nxjerr një ligj që rregullon punën e qeveritë, për çka është keqpërdorur numri i ministrive dhe zv.ministrave.

Nxjerrja e një ligji që rregullon funksionimin e qeverisë do të ishte shumë pozitive dhe e nevojshme. Ky ligj, gjithsesi do të duhej të përcaktonte limitin e numrit të ministrive, bazuar në nevojat dhe mundësitë që ka vendi. Qeveria nuk do të duhej të kishte me shumë se 13 deri 15 ministri efektive dhe në asnjë mënyrë, jo më shumë se dy zv.ministra në rastet kur ndonjëra ministri do të duhej të kishte edhe një zv.ministër nga komunitet”, thotë Jashari për tesheshi.com.

Kujtojmë se Instituti për Studime të Avancuara (GAP) në vitin 2011 përmes një analize të bërë rekomandoi miratimin e ligjit të qeverisë me ç’rast sugjeroi që ky ligj t’i bart përgjegjësinë kuvendit për të vendosur për strukturën e qeverisë, funksionet e saj, detyrat e një qeverie në dorëheqje dhe përgjegjshmëri më e madhe e anëtarëve të kabinetit qeveritar ndaj kërkesave të deputetëve për të dhënë llogari në kuvend.

Hartimi i këtij ligji është i paraparë edhe Programin Legjislativ të ekzekutivit për vitin 2018. Ky ligj parashihet të përfundojë në 20 nëntor të këtij viti.

Qeveria aktuale e drejtuar nga Haradinaj ka 21 ministri dhe mbi 70 zëvendësministra. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit