Lojë spiunësh me Greqinë? “Negociatori Meçollari cenon sigurinë kombëtare”

Mos i humb

Kolonel Ylli Zyla, ish-drejtor i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, thotë se eksperti detar Artur Meçollari, pjesë e grupit negociator shqiptar për marrëveshjen e detit me Greqinë, cenon sigurinë kombëtare me praninë e tij në delegacion.

“Në cilësinë e ish-drejtorit të SHIU mund t’iu them se emir në fjalë është i papërshtatshëm në grupin e negociatorëve për marrëveshjen e detit me Greqinë. Etika profesionale nuk më lejon të them më tepër, por autoritetet dhe veçanërisht Presidenti i Republikës i ka të gjitha mundësitë të kuptojë papërshtatshmërinë e tij. Pjesëmarrja e tij në komision do të cenonte sigurinë kombëtare, pasi marrëvshje të tilla bëhen një herë në jetë dhe jo çdo ditë”, u shpreh kolonel Ylli Zyla.

Papërshtatshmëria e ekspertit detar Artur Meçollari dyshohet se ka të bëjë afrimitetin e tij me palën greke. Top Channel kontaktoi institucionin e Presidentit të Republikës për këtë çështje. Zëdhënësi Tedi Blushi i tha Top Channel se “presidenti Ilir Meta po shqyrton me vëmendje dhe kujdes të gjithë materialin që i ka dërguar Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme”.

Vetë Ministria e Jashtme i tha Top Channel se ushtaraku Artur Meçollari është rekomanduar si njohës shumë i mirë i çështjes, që ka kryer studime në fushën e të drejtës së detit dhe është i pajisur prej 10 vjetësh me certifikatë sigurie NATO Cosmic, që është niveli më i lartë.

Vetë zotin Meçollari ishte i padisponueshëm për komente të mëtejshme. Kurse nga Ministria e Mbrojtjes burimet bënë të ditur se lirimi i ushtarakut Meçollari në vitin 2012 është anuluar me vendim gjykate të formës së prerë dhe ai nuk ka asnjë pengesë për të qenë pjesë e grupit negociator./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit