Luçiano Boçi: Ligji për Arsimin e Lartë e ka dështuar universitetin!

Mos i humb

Edhe këtë të martë, në “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja është folur për protestën e studentëve dhe problemet e arsimit të lartë, i ftuar i të cilit ishte deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, anëtar i Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik.

Studentët kanë nisur tashmë javën e tretë të protestës së tyre, teksa thonë se ligji “për Arsimin e Lartë” është problemi kryesor prej nga rrjedhin të gjitha problematikat e tyre në universitete. A ndan edhe PD-ja të njëjtin mendim me studentët, në raport me ligjin “për Arsimin e Lartë”?

“Ne e kemi shprehur këtë opinion që në vigjilje të miratimit të këtij ligji të mbrapshtë, pasi kështu e kemi konsideruar. Kemi kërkuar madje mosmiratimin e tij dhe kemi drejtuar të gjitha kritikat dhe argumentet, që janë sot pasojë e dukshme e këtij ligji. Në këtë kundërshtim, unë kam qenë pjesë e komisionit kur u diskutua ligji, për hir të së vërtetës kanë qenë edhe stafet akademike dhe përfaqësitë e studentëve që janë thirrur të relatojnë në komisionin tonë. Madje kundërshtinë më të fortë kujtoj që e ka bërë Senati i Universitetit të Tiranës, që solli edhe argumentet ligjore, juridike të hartuara me shumë kujdes, sikurse të gjithë universitetet e tjera. Theksi vihej te pasoja që sot e prekim, te rrënimi i universitetit publik, te humbja e hapësirës publike së këtij universiteti dhe deformimin e raporteve akademike e shkencore brenda tij, sikurse të raporteve midis vet pedagogëve dhe studentëve”, shpjegoi Luçiano Boçi.

Luçiano Boçi është një politikan, por njëkohësisht vjen nga bota akademike, ndërsa ka qenë edhe pjesë e qeverisjes së Partisë Demokratike. Ka zëra se ky ligj është ai i vitit 2010, i projektuar nga PD-ja por i pamiratuar, dhe i miratuar në vitin 2015 nga Partia Socialiste me LSI-në në bashkëqeverisje. A ndihen përgjegjës demokratët për ligjin dhe a ka hapësirë për një ndjesë publike?

“Nëse flasim për të vërtetën, kjo është hera e parë që e dëgjoj që në 2010-n paska pasur një projeksion të PD-së në bashkëpunim me LSI-në për të sjellë një ligj të tillë. Edhe nëse e heqim LSI-në dhe të lemë PD-në, kjo sërish nuk është e vërtetë dhe si e tillë nuk mund të diskutohet për përgjegjësi në këtë rast. Ne, të gjitha ato ndryshime ligjore që i kemi konsideruar se sjellin përfitime për investimet në arsim e lartë dhe atë parauniversitar, i kemi sjellë vazhdimisht. Ndryshimi i fundit ligjor kishte të bënte me ndryshimet që u kërkuan për gjuhën e huaj, domosdoshmërinë e saj në ciklet e para dhe të dyta të studimit, ku pati kundërshti për gjuhën angleze. Në fund fare, një pjesë e deputetëve të majtë i kanë votuar ato ndryshime dhe nuk ka pasur projekte të reja për të sjellë një ligj të ri. Ligji për Arsimin e Lartë ishte relativisht i ri, e nëse i qëndrojmë teorive se që një ligj të japë efektet duhet të kalojë një periudhë 10-vjeçare, ai nuk ishte edhe aq i vjetër pasi ishte i vitit 2006, i ripërmirësuar në 2008-n, që nuk kishte nevojë të zëvendësohej në 2010-n. Sipas ligjit, universiteti publik kishte grantin e tij që përdorej për investime, pagat e pedagogëve dhe përmirësimin e jetës së studentëve”, tha deputeti Boçi.

Për ta futur në fuqi këtë ligj, qeveria socialiste përdori tezën se qeverisja e mëparshme (e PD-së) i kishte kthyer universitetet në kioska për të dhënë diploma.

“Këtë e kemi dëgjuar shpesh dhe e kemi ezauruar. Nuk ka vlerë më të ndalemi, sepse ata që ishin drejtues të universiteteve, sot ose i ke deputetë të Partisë Socialiste, ose kanë drejtuar Arsimin e Lartë në Ministrinë e Arsimit. Ky argument mjafton për të rrëzuar poshtë tezën e tyre”, u përgjigj Boçi.

Demokratët janë kundër këtij ligji “për Arsimin e Lartë” dhe do ta shfuqizojnë atë, siç deklaroi kreu i PD-së. Por a kanë ata një projekt konkret se çfarë do të ndodhë me arsimin, si platformë alternative? Sepse nuk mjafton t’u thuash njerëzve që ky ligj nuk bën, por edhe diçka që bën!

“Kolonat themelore të një ligji që do të sjellë të mira për arsimin në përgjithësi, e arsimin e lartë në veçanti, ne i kemi artikuluar edhe me zërin e vet zotit Basha. Qoftë për investimin e universiteteve publike, qoftë edhe për nismat e ndërprera, siç ishte ndërprerja e ndërtimit të Kampusit Universitar të Tiranës, që u bë parking autobusësh, ashtu dhe për tarifat, për të cilat ne jemi shprehur se ato aktuale, të kushtëzuara nga ligji aktual, stimulojnë rritjen e tyre në mënyrë progresive nga vet universitetet, që kanë humbur autonominë e tyre dhe janë në një luftë të pabarabartë nga universitetet e tjera private. Ky ligj aktual ka bërë që të krijohet tregu i studentit, i klientit dhe jo i dijes. Ne jemi shumë të qartë në kolonat tona për të krijuar tregun e dijes, ku konkurrohet me vlerat që bart universiteti publik dhe vlerat që ka universiteti privat, sepse nuk jemi kundër tyre. Por, vëmendja jonë do të jetë në stimulimin e universitetit publik. Është detyrë e çdo shteti dhe qeverie që universitetin ta vendosë në funksion të brezave dhe jo ta nxjerrë prej tij e për ta vendosur në një treg krejtësisht të pabarabartë ku shndërrohet në një ndërmarrje private”, tha më tej Boçi.

Por a kanë demokratët pika të përbashkëta takimi me mazhorancën, në raport me ligjin “për Arsimin e Lartë”. Cilat janë ato dhe cilat pika i ndajnë palët?

“Këto janë detaje që presin të zbulohen në vazhdimësinë e prononcimeve tona. Por, gjëja më e madhe që na ndan, që ka mbetur në hije dhe nuk është artikuluar, është atentati që i bëhet universiteteve publike me kapitullin e 12 për Arsimin e Lartë. Ai është kapitulli që përcakton se, universitetetet publike shndërrohen në universitete publike të pavarura, në një proces kalimi në fondacion, që do të thotë asnjë mbështetje financiare nga ana e shtetit. Universiteti publik do të funksionojë sikurse privati, apo jopubliku, dhe të gjitha burimet financiare do t’i sigurojë nëpërmjet rrjepjes dhe marrjes së tyre nga xhepat e studentëve dhe familjarëve të tyre. Të gjitha këto pasoja që ne kemi sot do të jenë më të agravuara në vitet në vazhdim, nëqoftëse ky ligj vazhdon të veprojë. Qëllimi final i këtij ligji është kapitulli i 12”, rrëfeu Luçiano Boçi.

Për ta qartësuar për lexuesit, përballë janë dy filozofi: njëra që thotë se universiteti vetadministrohet nga fondet dhe vetëmenaxhohet e rregullohet, pra vetëqeveriset; e tjetra që thotë se menaxhohet nga shteti dhe financohet nga shteti. Kjo e dyta në fakt është një kosto për taksapaguesit e tjerë, sepse jo gjithmonë ajo që paguhet shpërblehet me përfitimin dhe sigurinë se do të kemi studentë ekselence…

Pikërisht nga pikëpamja e filozofisë, demokratët janë për një universitet të vetadministrueshëm, apo që financohet totalisht nga shteti?

“Ne jemi për një universitet që gëzon lirinë akademike dhe autonominë e tij, autonomi jo të gënjeshtërt siç është në këtë ligj, por që ka një mbështetje shumë të fuqishme nga buxheti i shtetit për investimet kapitale të tij, sigurisht një alternim dhe me vetadministrimin në bazë të atyre fondeve që ai mund t’i thithë si shërbime që iu ofron jo vetëm studentëve, por edhe shoqërisë në tërësi. Universiteti është polivalent në mënyrën sesi i ofron shërbimet e tij, jo thjesht një dhënës dijesh, por edhe institucion kërkimor-shkencor, që ofron e shet edhe ide. Ndërsa nëse flasim sot sipas teorisë që universiteti qenka i vetadministruar, le të themi edhe se ligji u shoqërua me 39 VKM, e kjo tregon varësinë politike kur Bordet e Administrimit, që kanë fuqi më të madhe sesa Senatet, drejtohen nga përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit; ku drejtuesit dhe përbërja e agjencive kryesore emërohen me VKM. Po merrem vetëm me Agjencinë e Financimit të Arsimit të Lartë, e cila është krijuar me VKM teorikisht, por që emërohet nga kryeministri. Ishte pikërisht kjo që do të përcaktonte ndarjen e fondeve sipas universiteteve dhe performancës së tyre”, tha Boçi.

Sot kryeministri tha se universiteti nuk ka vuajtur nga fondet, por nga mënyra e menaxhimit të fondeve, duke nënkuptuar se qeveria ka financuar, por ato janë keqadministruar. Nga pikëpamja profesionale, a është keqmenaxhuar buxheti i universitetit në tërësinë e vet? A kanë përgjegjësi, përveç qeverisë, edhe Senatet dhe strukturat universitare?

“Në këto 6 vite, në dijeninë time të plotë, nuk ka investime, financime apo burime financiare të ardhura nga shteti për universitetet. Unë e sfidoj kryeministrin, pavarësisht se sfida bëhet në një debat, të tregojë një investim që ka bërë në 6 vite në universitetet publike të Shqipërisë. Një investim, një bibliotekë, një laborator shkencor, ose një godinë të rikonstruktuar. Nëse ai e bën këtë, unë e tërheq argumentin tim se kanë munguar investimet. Janë po ato investime që janë hedhur para 2013-s, qoftë në godina, ambientet universitare, në biblioteka apo laboratore”, deklaroi më tej Boçi.

Në përfundim, a është beteja për universitetin edhe një betejë politike për kontrollin e universitetit midis mazhorancës dhe opozitës?

“Beteja për universitetin është një betejë politike për të transformuar shoqërinë shqiptare, sepse nuk është një betejë thjesht për universitetin, por kundër një sistemi qeverisës i cili e ka dështuar universitetin, arsimin, ekonominë shqiptare. Burimi i revoltës është burim i mbledhur, një mllëf i akumuluar dhe nuk është një betejë politike për të kontrolluar politikisht. Ky është një mekanizëm i gjetur nga Rama për të sfumuar lëvizjen”, u përgjigj Luçiano Boçi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit